Një aksion ndërkombëtar i drejtuar nga Interpoli ka përfunduar me arrestimin e afro 5,800 personave dhe me sekuestrimin e rreth 300 milionë dollarëve në asete të paligjshme, në kuadër të goditjes ndaj rrjeteve të mashtrimit online.
Të lidhura
None found
I quajtur “First Light 2026”, operacioni u zhvillua nga janari deri në prill dhe përfshiu autoritetet ligjzbatuese të 97 vendeve. Në fokus ishin grupet kriminale që shfrytëzojnë manipulimin psikologjik për të mashtruar viktimat dhe për t’u marrë atyre para ose të dhëna konfidenciale.
Sipas Interpolit, gjatë këtij operacioni u identifikuan rreth 142 mijë viktima të prekura nga skema të ndryshme mashtrimi, mes tyre shantazhi seksual, mashtrimet me investime, vjedhja e identitetit, mashtrimet emocionale online dhe përvetësimi i e-maileve të biznesit.
Organizata ndërkombëtare e policisë kriminale nënvizoi se këto forma mashtrimi janë shndërruar në një rrezik të madh global për individët, bizneset dhe institucionet publike.

Gjatë operacionit, në disa shtete u goditën rrjete të ndryshme kriminale. Në Eswatini, autoritetet ndaluan 82 persona dhe çmontuan një grup që merrej me lojëra të paligjshme online dhe me pastrim parash përmes skemave të vjedhjes së identitetit.
Në një tjetër rast, mashtruesit ngritën një version të rremë të një stacioni policie braziliane dhe, duke u shtirur si efektivë policie gjatë video-thirrjeve, i bindën viktimat të dërgonin para për një të ashtuquajtur “mbrojtje” nga një krim i sajuar.
Hetimet nxorën në dritë edhe raste mashtrimi që synonin kompani ndërkombëtare dhe individë. Në Singapor, një kompani tregtare u vu në shënjestër nga persona që paraqiteshin si furnizues të rremë, ndërsa në Makao u arrestuan persona që hiqeshin si zyrtarë publikë dhe tentuan të përfitonin rreth 372 mijë dollarë nga një viktimë.
Interpoli paralajmëroi se shtimi i mashtrimeve që mbështeten te manipulimi psikologjik e bën të domosdoshëm një bashkëpunim më të gjerë ndërkombëtar për të frenuar rrjetet kriminale që veprojnë përtej kufijve.

