Kanadaja është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një dentist dyshohet se u ka marrë jetën dy fëmijëve të tij të vegjël dhe më pas ka vrarë veten.
Sipas policisë së Otavës, Mohammed Al-Lami, 40 vjeç, dyshohet se vrau në banesën e tij dy djemtë e tij, 7 dhe 12 vjeç. Pas kësaj, ai dyshohet se i vuri flakën klinikës dentare ku punonte me bomba molotov dhe më pas u dogj brenda automjetit të tij.
Të lidhura
None found
Ngjarja po hetohet nga autoritetet kanadeze, të cilat e kanë klasifikuar rastin si vrasje dhe vetëvrasje.
Gjatë hetimeve është zbuluar edhe se dentisti kishte pasur më parë përplasje ligjore me ish-bashkëshorten, e cila ishte nëna e dy fëmijëve që mbetën viktima.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se në vitin 2024, Al-Lami ishte vënë nën mbikëqyrje pas akuzave se kishte kërcënuar ish-gruan.
Pas ngjarjes, në zyrën e tij u gjet një shënim me disa faqe, ku ai shprehte kritika të forta ndaj ish-bashkëshortes, sistemit të drejtësisë dhe gjykatave familjare. Në atë dokument, ai përmendte edhe disa persona që i konsideronte përgjegjës për vështirësitë e tij, çka i shtyu autoritetet të merrnin masa për mbrojtjen e tyre.
Në dëshminë e saj në gjykatë, ish-bashkëshortja kishte thënë se ata ishin martuar dhe kishin dy fëmijë, përpara se të ndaheshin në vitin 2022. Ajo kishte deklaruar se ishte alarmuar nga mesazhet kërcënuese të ish-partnerit dhe se kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet nga frika për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Sipas mediave lokale, ajo kishte rrëfyer se ishte tronditur nga përmbajtja e email-eve dhe se kishte ngritur shqetësimin për atë që mund të ndodhte nëse kërcënimet do të shndërroheshin në veprime konkrete.
Në muajin shkurt të këtij viti, Al-Lami ishte paraqitur vetë në gjykatë dhe kishte hedhur poshtë një marrëveshje të propozuar nga sistemi i drejtësisë për një periudhë monitorimi me sjellje të mirë. Më pas, gjykata i kishte caktuar një periudhë prove 12-mujore.
