Barbara Broccoli, emër kyç për dekada në drejtimin e sagës së njohur kinematografike James Bond, ka rrëfyer se pas një përndjekjeje që zgjati afro 10 vite, është detyruar të shesë shtëpinë e familjes dhe se sot jeton në frikë të vazhdueshme.
Të lidhura
None found
Kjo deklaratë u bë publike pasi një gjykatë në Londër vendosi që Daniel Wilson, 37 vjeç, të dërgohet pa afat në një spital psikiatrik, pasi u shpall fajtor për përndjekje të rëndë dhe për shkelje të një urdhri ndalimi kontakti ndaj Broccoli.
Sipas gjykatës, Wilson, që jeton në Lambeth të Londrës, e kishte kontaktuar në mënyrë të pandërprerë dhe shqetësuese producenten, duke i dërguar qindra mesazhe në WhatsApp, email-e dhe mesazhe zanore përmes numrave të ndryshëm telefoni.
Prokuroria e përshkroi sjelljen e tij si një “fushatë e pamëshirshme dhe shqetësuese”, ndërsa theksoi se mesazhet lëviznin nga përmbajtje të çuditshme deri te ato me natyrë seksuale dhe kërcënuese.
Gjatë një seance gjyqësore vitin e kaluar, Wilson tërhoqi vëmendjen e publikut kur bërtiti: “James Bond nuk mund të ketë vdekur”, duke iu referuar fundit të personazhit në filmin “No Time to Die”, ku Daniel Craig e interpretoi për herë të fundit agjentin 007.
Gjykata dëgjoi se ai kishte shkelur urdhrin e ndalimit të kontaktit pasi la mesazhe zanore kërcënuese për Broccoli nga një repart spitalor në ditën e Shën Valentinit të vitit të kaluar. Po ashtu, ai kishte shpërndarë në rrjetet sociale një postim me përmbajtje seksuale ku kishte përfshirë emrin dhe të dhënat e kontaktit të producentes.
Në dëshminë e saj para gjykatës, Barbara Broccoli tha se përndjekja kishte lënë pasoja të rënda si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale.
“Ai ka shkaktuar ankth dhe shqetësim të madh. Është diçka që të gërryen. Ka cenuar besimin tim dhe ka ndikuar në mirëqenien time. Jetoj në frikë të vazhdueshme për sigurinë time personale, jam gjithmonë në gatishmëri dhe shoh pas shpine,” deklaroi ajo.
Ajo tha gjithashtu se nga frika ndaj përndjekësit ishte detyruar të shiste shtëpinë e familjes, ku kishte jetuar për 20 vite. Sipas saj, shqetësimi ishte aq i madh sa kishte nisur të kishte frikë edhe nga pjesëmarrja në evente publike, përfshirë premierat e filmave, për shkak të mundësisë që Wilson të paraqitej aty.
Gjykata mësoi se njohja fillestare mes Wilson dhe Broccoli kishte ardhur pasi ai ishte bërë mik me djalin e saj gjatë shkollës së mesme. Pasi ajo miqësi mori fund në vitin 2009, ai zhvilloi një fiksim ndaj producentes.
Në një episod, ai kishte dërguar te dera e banesës së saj një bust bronzi të babait të saj, Albert “Cubby” Broccoli, producentit që solli James Bond në ekran në vitet 1960. Më vonë, ai kishte kërkuar pagesë për atë bust dhe pretendonte se kishte dhënë kontribut në skenarin e filmit “Skyfall” të vitit 2012.
Në vitin 2016, Wilson kishte hyrë me forcë në shtëpinë e producentes në Londër, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Në atë kohë, dy miq të Broccoli-t ishin detyruar të barrikadoheshin në një dhomë derisa mbërriti policia. Vetë producentja nuk ndodhej në banesë në atë moment.
Pas atij rasti, ndaj Wilson u vendos në vitin 2017 një urdhër ndalimi, që ia ndalonte kontaktin me Broccoli-n.
Gjykatësi Christopher Hehir urdhëroi që Wilson të mbahet pa afat në një spital psikiatrik, në përputhje me ligjin britanik për shëndetin mendor.
“Ke probleme të thella mendore që datojnë prej shumë vitesh. Ndikimi i sjelljes tënde te Barbara Broccoli ka qenë shumë i madh. Sjellja jote e zgjatur ka cenuar besimin e saj dhe e ka bërë të ndihet e shqetësuar, e frikësuar dhe e pasigurt,” tha gjykatësi.
Gjatë seancës, Wilson e ndërpreu disa herë procesin dhe bërtiti: “Po busti prej bronzi? Ndaloni së foluri kështu. I bëra Barbarës një skulpturë dhe ajo nuk më pagoi.”
Më pas ai pyeti: “Si mund të jetë kjo një iluzion?”, përpara se lidhja video të ndërpritej.
Barbara Broccoli konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e James Bond. Babai i saj, Albert “Cubby” Broccoli, bleu të drejtat e romaneve të Ian Fleming në vitin 1961.
Ajo u përfshi në produksion që në moshën 17-vjeçare dhe në vitin 1995 u bë producente e filmit “GoldenEye”, ku Pierce Brosnan u shfaq për herë të parë si James Bond. Për shumë vite, ajo e drejtoi ekskluzivitetin bashkë me gjysmëvëllain e saj Michael G. Wilson, deri kur të drejtat e serisë iu shitën Amazon vitin e kaluar.
Vendimi për Wilson vjen pas një prej periudhave personale më të vështira për producenten, e cila për dekada me radhë ka qenë një nga figurat më të fuqishme prapa një prej markave më të njohura të kinemasë botërore.
