Kanadaja pritet të porosisë 12 nëndetëse nga kompania gjermane e mbrojtjes TKMS, sipas raportimeve të publikuara pak para nisjes së samitit të NATO-s në Ankara të Turqisë.
Kontrata, me vlerë miliarda euro, parashikon blerjen nga ana e Kanadasë të dymbëdhjetë nëndetëseve ultramoderne të prodhuara nga ndërtuesi gjerman i anijeve ushtarake TKMS. Gazeta kanadeze The Globe and Mail raportoi se kompania gjermane doli fituese në garë ndaj kantierit detar koreano-jugor Hanwha Ocean, pas një rivaliteti disa mujor për këtë projekt.
Të lidhura
None found
Otava synon të pajiset me nëndetëse të tipit 212 CD, të njëjtin model që është porositur edhe nga marina gjermane dhe ajo norvegjeze. Vlera e këtij projekti llogaritet të kalojë dhjetë miliardë euro.
Të hënën (06.07.2026) në mëngjes, qeveria gjermane kishte shprehur pritshmërinë që autoritetet kanadeze të përzgjidhnin TKMS-në, njësinë e mbrojtjes të Thyssenkrupp me bazë në Kiel.
“Ky është një projekt strategjik i madh. Nëse realizohet, do ta lidhë Kanadanë me ne për dekada,” u shpreh një përfaqësues i qeverisë në Berlin, i cili vuri në dukje rëndësinë transatlantike të kësaj marrëveshjeje ushtarake.
Sipas të njëjtit burim, kancelari federal Friedrich Merz (CDU) kishte angazhuar shumë përpjekje politike gjatë javëve dhe muajve të fundit për ta çuar përpara këtë projekt.
Nëndetëset e tipit 212 CD konsiderohen tepër të vështira për t’u diktuar dhe, falë baterive moderne litium-jon, janë në gjendje të operojnë në mënyrë autonome për javë të tëra, krejtësisht në heshtje.
Gjatë një vizite në Kanada, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), i cili promovoi nëndetëset e prodhuara në Gjermani, deklaroi se nuk ka asnjë nëndetëse konvencionale tjetër që të krahasohet me to.
“Së bashku mund të ndërtojmë flotën më të madhe dhe më moderne të nëndetëseve konvencionale në botë.”
Drejtori ekzekutiv i TKMS, Oliver Burkhard, kishte bërë të ditur se synonte ta fitonte kontratën kanadeze përmes një pakete të gjerë industriale. Sipas raportimeve në media, diskutimet nuk u kufizuan vetëm te nëndetëset, por përfshinë edhe angazhime të mundshme investimi në fushat e mineraleve të rralla, industrisë minerare, inteligjencës artificiale dhe prodhimit të baterive për industrinë automobilistike.
Siç është shprehur Burkhard, bëhet fjalë për: “Kontrata më e madhe që është dhënë ndonjëherë në botën e nëndetëseve konvencionale te një partner i NATO-s.”
Kjo marrëveshje e madhe nuk përbën vetëm një sukses për TKMS-në, por edhe një avantazh për Gjermaninë në planin e politikës së jashtme.
Sipas qeverisë gjermane, afrimi strategjik me Kanadanë i shërben edhe forcimit të NATO-s, e cila po zhvillon samitin e saj të përvitshëm në Ankara të Turqisë.
Aleanca ndodhet në një periudhë ripozicionimi strategjik: SHBA-ja po pakëson kontributet e saj ushtarake, ndërsa Evropa po merr më shumë përgjegjësi dhe po rrit shpenzimet për mbrojtjen.
Marrëveshja e planifikuar për nëndetëset fuqizon bashkëpunimin mes Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, që është partneri i tretë në këtë program, si në industrinë e mbrojtjes ashtu edhe në mbrojtjen e krahut verior të NATO-s.
Një ndër synimet e shpallura të aleatëve të NATO-s është blerja e sistemeve të standardizuara për ta bërë më të lehtë bashkëpunimin ushtarak, si për shembull shkëmbimin e shpejtë të të dhënave, trajnimin e ekuipazheve dhe mirëmbajtjen teknike.
Deri tani, Gjermania dhe Norvegjia kanë vendosur të blejnë nga gjashtë nëndetëse secila të këtij modeli. Me porosinë e Kanadasë, volumi total i prodhimit dyfishohet.
Aksionet e TKMS-së shënuan përkohësisht një rritje deri në 11 për qind.
Nga kjo kontratë ushtarake pritet të përfitojë edhe kantieri detar në Wismar, në landin Mecklenburg-Vorpommern.
Në këtë kantier më parë ndërtoheshin anije turistike, deri kur operatori falimentoi në vitin 2022. Në mesin e vitit 2022, TKMS e mori në pronësi objektin dhe e ridrejtoi atë drejt ndërtimit të anijeve ushtarake dhe speciale.
Atje është ngritur një linjë prodhimi për seksionet e trupit të nëndetëseve dhe po hapen vende të reja pune.
Falë porosisë së madhe nga Kanadaja, pritet që të gjitha kapacitetet prodhuese të TKMS-së të jenë plotësisht të angazhuara për shumë vite që vijnë. /dw
