Me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, mbajti një fjalim të përqendruar te historia e emigracionit dhe pesha që emigrantët kanë pasur në ngritjen e qytetit, duke vendosur kështu një dallim të fortë me qasjen e presidentit Donald Trump, i cili gjatë mandatit të tij të dytë ka ndjekur politika të ashpra kundër emigracionit.
Të lidhura
None found
Nga Bashkia e Nju Jorkut, përpara tavolinës që më parë i përkiste presidentit të parë amerikan, George Washington, Mamdani foli i rrethuar nga qytetarë të natyralizuar. Ai solli në vëmendje breza emigrantësh, mes tyre irlandezë, kinezë, hebrenj, italianë, sirianë dhe shumë të tjerë, të cilët, edhe pse u përballën me diskriminim dhe ligje kufizuese, ndërtuan jetën e tyre në Nju Jork dhe dhanë kontribut në formësimin e qytetit.
Ai nënvizoi se parimi amerikan i jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë nuk i takon vetëm së shkuarës, por duhet t’u shërbejë çdo brezi dhe çdo qytetari. Duke përmendur një vendim të fundit të Gjykatës Supreme, që ndaloi përpjekjet e Trump për të kufizuar të drejtën e shtetësisë sipas lindjes, Mamdani tha se themeli i Amerikës është përfshirja dhe jo përjashtimi.
“Pavarësisht ligjeve të miratuara nga qeveria federale për t’u ndaluar hyrjen dhe vështirësive të tjera, emigrantët krijuan jetën e tyre këtu në qytetin e Nju Jorkut dhe ndihmuan në formësimin e tij. Patriotizmi nuk do të thotë të shtiresh sikur vendi ynë është i përsosur.Patriotizëm është çdo akt i drejtë kundërshtimi. Pikërisht sepse e duam këtë vend, nuk do ta braktisim”, u shpreh Mamdani.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku ndau edhe përvojën e vet si emigrant. I lindur në Ugandë, ai u shpërngul në Nju Jork kur ishte shtatë vjeç dhe mori shtetësinë amerikane në vitin 2018. Sipas tij, për shumë breza emigrantësh, imazhi i parë i Amerikës ka qenë Statuja e Lirisë dhe Nju Jorku, si shenjë e shpresës dhe e mirëseardhjes.
Mamdani kritikoi gjithashtu këndvështrimin e atyre që, sipas tij, e konsiderojnë Amerikën si një vend që u përket vetëm disa njerëzve, atyre me “theksin e duhur” ose “ngjyrën e duhur të lëkurës”. Ai paralajmëroi se përçarja dhe përjashtimi janë përdorur vazhdimisht si mjete politike për të siguruar pushtet dhe pasuri, ndërsa bëri thirrje për unitet dhe kundërshtim ndaj politikave përçarëse.
Fjalimi i tij u mbajt vetëm disa orë larg atij të Donald Trump, i cili nga Mount Rushmore deklaroi se SHBA është vendi më i fuqishëm në botë dhe e quajti komunizmin “një rrezik”.
“Ne kemi Kushtetutën më të drejtë dhe më jetëgjatë në botë. Jemi vendi më i fortë dhe më i fuqishëm në botë dhe, me hirin e Zotit, Shtetet e Bashkuara janë kombi më i suksesshëm, me arritjet më të jashtëzakonshme dhe më i admiruari që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Dhe është një nder të jem presidenti juaj…”, u shpreh Trump.
