LDK e kushtëzon votën për presidentin me kandidat nga partia, analistët komentojnë emrat e Abdixhikut dhe Hazirit

Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit po hyn në një fazë edhe më të ndërlikuar, veçanërisht pas deklaratave të nënkryetarit Lutfi Haziri, i cili tha se 18 votat e partisë në Kuvend mund të bashkohen vetëm nëse kandidati për president është nga LDK-ja.

Të lidhura

None found

Si emra të mundshëm, Haziri përmendi kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, por edhe veten, duke lënë të kuptohet se mbështetja e plotë e deputetëve do të varej nga një kandidaturë e dalë nga strukturat e vetë partisë.

“Në rast se ky emër është Lumiri ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, deklaroi Haziri.

Kjo deklaratë merr peshë të veçantë po të shihet në raport me formulën politike me të cilën LDK doli në zgjedhjet e 7 qershorit, kur Vjosa Osmani u paraqit si kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër.

Sipas Hazirit, emri i Osmanit nuk do të arrinte të siguronte votën e unifikuar të të gjithë deputetëve të LDK-së, çka sugjeron se brenda partisë vazhdojnë të ekzistojnë dallime të forta lidhur me figurën që duhet të marrë postin e presidentit.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim mund të unifikohemi”, u shpreh ai.

Në këto rrethana, kërkesa që presidenti të vijë nga vetë LDK-ja hap dilema nëse kjo parti po largohet nga qasja e saj e mëhershme për një president konsensual dhe mbi-partiak.

Kjo e bën më delikate edhe çështjen e një marrëveshjeje të mundshme me Vetëvendosjen, pasi pozicionet e tanishme japin përshtypjen e llogaritjeve politike paszgjedhore më shumë sesa të vazhdimësisë së një vije të pandryshuar parimore.

Jakupi: Kalimi nga “president jopartiak” në “president nga LDK-ja” kërkon një shpjegim politik

Për këtë zhvillim, në një prononcim për “Bota sot”, analisti Zejnulla Jakupi e cilësoi kërkesën e LDK-së si një lëvizje politike që nuk përputhet me deklarimet e saj të mëhershme.

Ai rikujtoi se më parë zyrtarët e LDK-së kishin insistuar te ideja e një presidenti jopartiak, ndërsa tani, sipas tij, vihet re një ndryshim i qartë në qasje.

“Kërkesa e LDK-së për postin e presidentit mund të shihet si një lëvizje politike që synon të sigurojë një rol institucional në një marrëveshje të mundshme me Vetëvendosjen, por njëkohësisht hap pyetje për konsistencën e saj me qëndrimet e mëhershme.Kur LDK-ja ka kërkuar një president jopartiak, argumenti kryesor ka qenë se figura e presidentit duhet të jetë mbi partitë politike, një figurë unifikuese përtej interesave partiake. Nëse tani kërkohet që presidenti të jetë nga radhët e LDK-së — madje të përmenden emra si kryetari i partisë apo një figurë drejtuese e saj — atëherë kritikët mund ta interpretojnë këtë si një ndryshim të qasjes.”

Sipas Jakupit, fakti që po kërkohet një figurë politike për president nuk përbën në vetvete problem, pasi raste të tilla ka pasur edhe më herët; megjithatë, thelbi qëndron te mesazhi politik që përcillet dhe te mungesa e një sqarimi të qartë.

“Megjithatë, LDK-ja mund ta argumentojë këtë ndryshim me faktin se në politikën parlamentare marrëveshjet bëhen mbi bazën e balancës së pushtetit dhe besimit politik. Pra, një parti që jep vota për formimin e institucioneve mund të kërkojë një përgjegjësi të lartë institucionale si pjesë e marrëveshjes. Nga ky këndvështrim, kërkesa nuk është domosdoshmërisht kontradiktore juridikisht apo politikisht, sepse edhe një figurë partiake, pasi zgjidhet president, mund të deklarojë se do ta ushtrojë funksionin në interes të të gjithë qytetarëve.

Por dilema kryesore është mesazhi politik. Nëse para disa muajsh LDK-ja e ka kundërshtuar idenë e një presidenti partiak dhe ka kërkuar një figurë konsensuale, atëherë kalimi nga “president jopartiak” në “president nga LDK-ja” kërkon një shpjegim politik. Përndryshe, kundërshtarët mund ta shohin si një kushtëzim për pushtet më shumë sesa si parim institucional.

Në anën tjetër, përmendja e emrave si Lumir Abdixhiku apo Lutfi Haziri tregon se LDK-ja nuk po kërkon thjesht një post formal, por një pozitë që do të kishte peshë në arkitekturën e ardhshme politike. Kjo e bën çështjen edhe më shumë një negociatë për ndikim politik sesa vetëm një debat mbi profilin e presidentit”, theksoi ai.

Më tej, Jakupi veçoi dy aspekte që lidhen me kërkesën e LDK-së për postin e presidentit dhe me mënyrën se si po e ndërton strategjinë e saj politike.

Ai nënvizoi se zgjedhja e presidentit në Kosovë kërkon një shumicë që zakonisht nuk mund të sigurohet nga një parti e vetme, ndaj bashkëpunimi dhe marrëveshjet politike mbeten të domosdoshme.

“Pra, pyetja kryesore nuk është vetëm ‘a po ndryshon LDK-ja qëndrim?’, por edhe ‘a ishte kërkesa për president jopartiak një parim i qëndrueshëm apo një pozicion i varur nga rrethanat politike?’. Nëse kushtet politike kanë ndryshuar, partitë shpesh ndryshojnë edhe strategjinë — por kjo mund të sjellë kosto në besueshmëri nëse nuk shpjegohet qartë.

Nëse kjo kërkesë e LDK-së shihet në funksion të krijimit të institucioneve dhe tejkalimit të një bllokade eventuale politike, atëherë ajo merr një tjetër dimension. Zgjedhja e presidentit në Kosovë kërkon një shumicë të cilën një parti e vetme zakonisht nuk mund ta sigurojë, prandaj marrëveshjet ndërpartiake janë pothuajse të pashmangshme. Në këtë kuptim, përfshirja e LDK-së dhe sigurimi i votave të saj mund të shihet si një element stabilizues që do të mundësonte kompletimin e institucioneve.”

Analisti komentoi edhe mundësinë që LVV ta pranojë ofertën e LDK-së, si dhe gjasat për një kompromis apo koalicion mes dy subjekteve.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, edhe pse mund të mos jetë zgjedhja e parë një president nga radhët e një partie tjetër, kjo nuk do të ishte domosdoshmërisht një kërkesë e papranueshme, sepse pa një marrëveshje më të gjerë parlamentare zgjedhja e presidentit do të ishte e vështirë. Një kompromis me LDK-në do t’i jepte mundësi LVV-së të siguronte funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një krize të re politike.

Në këtë perspektivë, çështja nuk është vetëm kush e merr postin e presidentit, por çmimi politik i një marrëveshjeje që krijon shumicë funksionale. LDK-ja do të siguronte një rol të rëndësishëm institucional, ndërsa LVV do të fitonte stabilitet qeverisës. Megjithatë, mbetet debati për koherencën e LDK-së me qëndrimet e saj të mëhershme për një president jopartiak: një marrëveshje e tillë mund të arsyetohet si kompromis për zhbllokim institucional, por kërkon një shpjegim të qartë publik që të mos perceptohet vetëm si kërkim për poste”, përfundoi Zejnulla Jakupi për “Bota sot”.

Kapiti: Haziri dhe Abdixhiku, së bashku me Vjosa Osmanin janë autorët kryesorë të dështimit politik të LDK-së

Nga ana tjetër, opinionisti Skënder Kapiti reagoi ashpër ndaj deklaratës së Hazirit për postin e presidentit.

Në prononcimin e tij për “Bota sot”, ai tha se deklaratat e fundit dëshmojnë se Abdixhiku dhe Haziri janë të përqendruar te interesat personale për poste dhe jo te interesi i partisë. Për këtë arsye, sipas tij, askush nga drejtuesit aktualë të LDK-së nuk e meriton të jetë në ato pozita.

“Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se deputetët e partisë së tij mund të dalin të unifikuar vetëm nëse kandidati për president vjen nga radhët e LDK-së dhe jo nga jashtë saj, si dhe: ‘Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi.’

Ky deklarim është vërtetimi më i qartë i asaj se LDK-ja është një patericë politike, pronë e individëve, pronarë dhe uzurpatorë të saj, që, pavarësisht se si Haziri ashtu edhe Abdixhiku, të cilët së bashku me Vjosa Osmanin janë autorët kryesorë të dështimit politik të LDK-së, duan deri në fund ta shfrytëzojnë LDK-në për interesa dhe ambicie personale. Ata gjithmonë LDK-në e kanë përdorur si material njerëzor, sa për vota e për përfitime personale. Në LDK-në e sotme, asnjë nga ata në krye të saj nuk meriton jo vetëm të jetë deputet, por duhet të largohet edhe nga postet partiake në LDK.”

Kapiti i zgjeroi më tej kritikat ndaj lidershipit të LDK-së, duke folur edhe për atë që ai e konsideron tradhti të disa figurave ndaj partisë.

“LDK-ja është një patericë politike, e cila qëndron në këmbë vetëm si inerci politike, pasi nuk ka asgjë as si trashëgimi rugoviste dhe as nuk paraqet alternativë opozitare. Ajo ka treguar pasinqeritet dhe tradhti politike ndaj anëtarësisë së saj, por edhe servilizëm të tejskajshëm me partnerët qeverisës në koalicion. Këta të dy, Haziri dhe Abdixhiku, e tradhtuan edhe Vjosa Osmanin, të cilën e emëruan kandidate për Presidente dhe e vunë në krye të listës së deputetëve në zgjedhjet parlamentare, dhe as kjo akrobaci politike nuk u shërbeu atyre.Prej këtyre të dyve dhe prej akrobates politike Vjosa Osmani, ky ishte maksimumi dështak politik i LDK-së”, tha ai.

Në fund, opinionisti theksoi se në rast të një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, kjo e fundit do të duhej, sipas tij, të propozonte një figurë jopartiake, pasi ai vlerëson se partia nuk ka në radhët e saj një emër të pranueshëm për president ose presidente.

“Nëse do të realizohet ndonjë marrëveshje koalicioni LVV–LDK, për LDK-në do të ishte politikisht e moralshme që ajo të propozonte për President të Kosovës një personalitet jashtë politikës.

Një personalitet jashtë politikës që plotëson kriterin e një presidenti të unitetit kombëtar, pasi LDK-ja nga radhët e saj nuk ka asnjë individ të pëlqyeshëm e as të pranueshëm për president, vërtetim që vjen nga ajo që çfarë zhgënjimi, pabesie, tradhtie dhe egoizmi tregoi ish-presidentja Osmani”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Image
Image


Shtuar 30.06.2026 10:16

Perabetcasibombetparkbetpark girişGrandpashabetgrandpashabetcasibomGrandpashabetlunabetcasibomMeritkingCasibomCasibomdamabetcasibombetpascasibomjojobet girişKickmatbetdeneme bonusu veren sitelerMadridbetMadridbetJojobetJojobetgrandpashabetHoliganbetnakitbahisJojobetgrandpashabetgrandpashabetjojobetcasibomjojobetjojobetcasibomcasibom girişholiganbetBetpasjojobetjojobet girişimajbetjojobetbetcio