Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas nisjes së hetimeve dhe pezullimit të tre zyrtarëve policorë. Ata dyshohen për ngacmim seksual dhe kontrollim të paligjshëm, përmes keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Në një postim në Facebook, Sveçla përshëndeti bashkëpunimin mes Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Policisë së Kosovës për trajtimin e rastit.
Të lidhura
None found
Ai u shpreh se veprimet e individëve nuk do të lejohen të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës dhe të pjesëtarëve të saj, të cilët, sipas tij, punojnë me profesionalizëm për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
Sveçla theksoi se misioni i Policisë së Kosovës është t’u shërbejë qytetarëve. Ai tha se çdo keqpërdorim i bërë në emër të saj për çfarëdo përfitimi dënohet pa kompromis.
Sipas ministrit, besimi i qytetarëve te Policia e Kosovës mbështetet te profesionalizmi, integriteti dhe përgjegjësia e saj. Ai e cilësoi IPK-në si mekanizëm thelbësor të llogaridhënies, që siguron trajtimin serioz dhe pa kompromis të çdo shkeljeje.






