Tre zyrtarë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë janë suspenduar, pasi dyshohen për ngacmim seksual dhe kontroll të kundërligjshëm. Policia e Kosovës bëri të ditur se masën e mori pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Të lidhura
None found
Sipas Policisë, rasti u raportua më 15 tetor 2026, kur u pranuan informacione për përfshirjen e mundshme të zyrtarëve në veprimet e dyshuara.
Pas shqyrtimit të të dhënave fillestare, Policia njoftoi IPK-në dhe bashkërendoi me të mbledhjen e dokumentimin e provave përkatëse. Institucioni tha se ia kishte siguruar dhe dorëzuar IPK-së provat dhe informacionet e kërkuara për vijimin e trajtimit të rastit.
Personi ankues u udhëzua të paraqitej në IPK, ku do të deklarohej para zyrtarëve të njësisë së hetimeve. Pasi shqyrtoi informacionet dhe provat e mbledhura, IPK-ja rekomandoi suspendimin e tre policëve, masë të cilën e zbatoi menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Në njoftim u bë e ditur gjithashtu se Policia ka bashkëpunuar me IPK-në edhe për rastin e dy zyrtarëve të Stacionit Policor në Gjilan, të cilët janë suspenduar nga detyra.
Policia e Kosovës deklaroi se do të vazhdojë të angazhohet për transparencë dhe llogaridhënie. Sipas saj, çdo e dhënë për sjellje të mundshme joprofesionale nga zyrtarët policorë do të trajtohet me seriozitet dhe sipas procedurave ligjore.






