Katër faktorët që e kanë kthyer PSG-në në kundërshtarin më të vështirë për klubet angleze

Paris Saint-Germain po shfaqet si një kundërshtar i frikshëm për klubet angleze në Ligën e Kampionëve. Triumfi i fundit, 4-2 ndaj Manchester Cityt në udhëtim, e konfirmoi edhe një herë nivelin e skuadrës së drejtuar nga Luis Enrique, e cila tashmë ka 12 ndeshje radhazi pa humbje në Evropë.

Kampionët e Francës kanë fituar katër përballjet e fundit si mysafirë ndaj ekipeve angleze. PSG ka mposhtur Arsenalin 1-0, Chelsean 3-0, Liverpoolin 2-0 dhe Manchester Cityn 4-2.

Të lidhura

None found

Ky bilanc nuk është produkt i rastësisë. Pas paraqitjeve të parisienëve qëndrojnë disa faktorë që e kanë bërë skuadrën veçanërisht të vështirë për t’u përballuar nga ekipet e Ligës Premier.

1. Luis Enrique e ka vendosur ekipin në qendër të projektit

Trajneri spanjoll ka ndërtuar një skuadër ku rëndësia e grupit qëndron mbi atë të individit. Pas largimit të Kylian Mbappes, kishte dyshime nëse PSG do të arrinte të kompensonte golat e sulmuesit francez, por përgjegjësinë e kanë marrë lojtarët në të gjitha repartet. Sulmuesit, mesfushorët dhe mbrojtësit marrin pjesë në aksionet ofensive, duke e bërë ekipin më të vështirë për t’u lexuar.

2. Cilësia teknike e neutralizon presionin

Mesfusha është një nga pikat më të forta të PSG-së. Vitinha, Warren Zaire-Emery dhe Fabian Ruiz kanë treguar se skuadra mund të përballojë kundërshtarë që luajnë me presion të lartë dhe ritëm fizik. Qarkullimi i saktë i topit dhe aftësia për të kontrolluar tempin i detyrojnë ekipet kundërshtare të harxhojnë shumë energji në përpjekje për ta rikuperuar posedimin, duke ua vështirësuar përdorimin e stilit të tyre të zakonshëm.

3. Rotacioni ruan energjitë e skuadrës

Menaxhimi i grupit nga Luis Enrique ka ndikuar gjithashtu në rezultatet e PSG-së. Mundësia për të alternuar lojtarët dhe për t’u dhënë pushim titullarëve i lejon skuadrës të mbërrijë më e freskët në ndeshjet evropiane. Klubet angleze, ndërkohë, duhet të përballojnë një kalendar të ngarkuar në kampionat, çka mund t’ua ulë energjinë në Ligën e Kampionëve.

Shembull i kësaj ishte edhe sfida me Manchester Cityn. PSG krijoi një avantazh prej tri golash që në pjesën e parë, ndërsa më pas administroi rrjedhën e takimit dhe realizoi edhe një gol tjetër.

4. Rezultatet kanë krijuar epërsi psikologjike

Përtej përgatitjes teknike dhe fizike, parisienët kanë fituar edhe besim të madh psikologjik. Fitorja ndaj disa prej klubeve më të mëdha angleze u ka dëshmuar se mund të triumfojnë edhe në stadiumet e kundërshtarëve. Për ekipet angleze, përballja me një skuadër që tashmë i ka mundur disa herë sjell një presion shtesë. Në këtë aspekt ndihmon edhe mbështetja e tifozëve të PSG-së gjatë ndeshjeve në Angli.

Forca e grupit, niveli teknik, menaxhimi i kujdesshëm i lojtarëve dhe vetëbesimi i krijuar nga rezultatet e fundit e kanë shndërruar PSG-në në një prej kundërshtarëve më të frikshëm të klubeve të Ligës Premier në Ligën e Kampionëve.


Shtuar më 16.10.2026 23:51