VIDEO/ Protestuesit hedhin në Lanë deputetin e PD, Klevis Balliu

Një situatë vërtet komike kjo që shfaqet në video për deputetin e PD, Klevis Balliu, i cili është marrë në krahë nga një grup protestuesish dhe është hedhur në lumin e Lanës.

Për t’i shpëtuar dhunës, Balliu Junior e ka çarë Lanën tejpërtej me këmbë dhe është ngjitur në anën tjetër të saj. Në video dëgjohen protestuesit që i thonë: “Ku shkon, ore?”, duke menduar se do të përpiqej të dilte sërish nga ana ku e kishin hedhur.

Të lidhura

None found

Siç dihet, dy ditë më parë, Balliu udhëzonte protestuesit të digjnin Ministrinë e Arsimit. Kjo shkaktoi shumë zemërim tek protestuesit e tjerë, të cilët u ndien të përdorur prej tij. Sulmi ndaj tij sot duket se është çështje e rivalitetit të brendshëm në protestë, pse jo edhe në PD.

Në video ai shihet duke dalë me vështirësi nga uji.

Balliu pretendon se incidenti ishte i organizuar nga struktura të Policisë, duke përmendur emrat e Skënder Hitajt dhe Ilir Prodës, si dhe Ergys Agasin. Ai akuzon gjithashtu persona që, sipas tij, paraqiten si opozitarë, por veprojnë në interes të mazhorancës.

“Me zhurmën e fundit mediatike të mediave të qeverisë, më duhet të sqaroj sa vijon: Pikë së pari, sot rreth orës 17:00, nga selia e PD kam denoncuar dhunën e tmerrshme dhe kriminale të ushtruar nga Policia e Shtetit drejt studentëve. Padiskutim kjo erdhi si rrjedhojë e një reagimi të detyrueshëm nga deklaratat e turpshme të Dhimitraq Ziut, i cili kërkonte të fshinte aktet kriminale të policisë kriminale të Edi Ramës ndaj studentëve.

Së dyti, është e vërtetë që patëm një incident të mirëorganizuar nga operacionalja e policisë së Dhimitraq Ziut, Skënder Hitaj, Ilir Proda, Ergys Agasit dhe të gjithë banditëve të tjerë të cilët përdorin aty partitë e qorrave që sillen si opozitarë, por janë në shërbim total nga mëngjesi deri në darkë të mazhorancës dhe të Edi Ramës. Nuk ka diskutim që ata si të gjithë të tjerët do të marrin përgjigjen e merituar, siç kanë marrë shpesh herë, çdo bandit që ka dhunuar apo ka guxuar të përplaset me qytetarët e lirë të këtij vendi. Nuk është e vërtetë që më kanë goditur. Është e vërtetë që kemi pasur një përballje dhe janë sulmuar qytetarë në atë moment. Por e padiskutueshme që nuk ka skemë të operacionales, skemë të Edi Ramës, skemë të qorrave që do të vihen para përgjegjësisë, që do mund të më ndalojë mua apo Partinë Demokratike apo cilindo demokrat që do të mbështesim me të gjitha fuqitë studentët që po përballen me narko-regjimin e Edi Ramës”, ka thënë ai.


Shtuar më 16.10.2026 23:01