Shndërrimi i mbrëmjeve të maturës në aktivitete luksoze dhe me ekspozim të tepruar po nxit gjithnjë e më shumë diskutime në shoqëri.
Ato që dikur konsideroheshin festa tradicionale për mbylljen e shkollës, sot në shumë raste janë kthyer në organizime të kushtueshme, ku fokusi shpesh kalon te pamja, automjetet luksoze dhe paraqitja në rrjetet sociale.
Të lidhura
None found
Në raste të caktuara, janë raportuar edhe hyrje me makina brenda ambienteve të restoranteve, ndërsa organizime të ngjashme po shihen edhe në mini-matura me fëmijë të moshave të vogla.
Në një lidhje direkte për Ora News, psikologia Sonila Jaupbashi tha se ky transformim nuk buron nga vetë nxënësit, por nga modelet që ata kanë përpara çdo ditë.
“Problemi nuk janë fëmijët. Problemi është modeli që u japim. Ata thjesht imitojnë atë që shohin çdo ditë në shoqëri dhe në familje.” – tha Jaupbashi.
Ajo theksoi se adoleshenca përbën një fazë të ndjeshme, ku ndikimi i rrethit shoqëror dhe dëshira për t’u pranuar kanë peshë të madhe në sjelljen e të rinjve.
“Kalimi nga një festë e thjeshtë në një performancë luksi është reflektim i asaj që shohim në rrjetet sociale dhe në jetën e përditshme. Modeli vjen nga të rriturit.” – u shpreh ajo.
Sipas Jaupbashit, rrjetet sociale e kanë forcuar edhe më tej këtë prirje, duke e kthyer mbrëmjen e maturës në një lloj “skene”, ku rëndësi më e madhe i jepet pamjes sesa kuptimit të festës.
Ajo nënvizoi gjithashtu se familja mbetet elementi kryesor në formimin e këtyre sjelljeve, pasi ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si të rinjtë e kuptojnë suksesin dhe mënyrën e kremtimit të tij.
