Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka vlerësuar se ekonomia e Rusisë, edhe pse është ndikuar nga rritja e çmimeve të naftës për shkak të tensioneve me Iranin, vijon të përballet me probleme të thella strukturore.
Në një deklaratë të publikuar, thuhet se të ardhurat e papritura nga nafta janë neutralizuar pjesërisht nga forcimi i valutës, si edhe nga subvencionet e dhëna për kompanitë e naftës dhe rafineritë, çka ka kufizuar efektin pozitiv në ekonominë ruse.
Të lidhura
None found
Zyra e BE-së thekson në njoftim se “Në katër muajt e parë të vitit 2026, deficiti buxhetor i Rusisë ka arritur në 5.9 trilionë rubla, dukshëm më i lartë se 3.8 trilionë rubla sa ishte planifikuar për të gjithë vitin. Po ashtu, raportohet se mbi 200,000 biznese janë mbyllur që nga janari”.
Sipas shifrave të publikuara, normat e interesit në Rusi vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa borxhi korporativ është rritur ndjeshëm që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Po ashtu, vendi po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, rritje taksash dhe tkurrje të kërkesës së brendshme.
Sipas BE-së, 20 paketat e sanksioneve të miratuara vazhdojnë t’ia kufizojnë Rusisë qasjen në teknologji, financa, logjistikë dhe tregjet e energjisë, duke i krijuar kostot afatgjata ekonomisë së saj.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se rritja e çmimeve të naftës mund të ofrojë vetëm një lehtësim të përkohshëm, por nuk e përmbys dëmin strukturor ekonomik, teksa presioni ndaj Rusisë mbetet në vazhdim.
