Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka komentuar së fundmi në media mbi opsionet për koalicione qeverisëse pas zgjedhjeve.
Në deklarimet e saj, ajo u ndal fillimisht te PDK-ja, për të cilën tha se vazhdon të përfaqësojë një segment të politikës që, sipas saj, mban përgjegjësi për shkallën e lartë të krimit dhe korrupsionit në vend, transmeton “Bota sot”. Sipas Gërvallës, Partia Guxo nuk ka asnjë pikë të përbashkët me këtë subjekt politik.
Të lidhura
None found
“Partia Demokratike e Kosovës ende përfaqëson atë pjesë të politikës e cila është përgjegjëse për një dozë të jashtëzakonshme të krimit dhe korrupsionit që ka sunduar vendin tonë. Prandaj, sidomos me PDK-në, Partia Guxo nuk ka as edhe një gjë të përbashkët”, tha ajo.
Kur u pyet nëse ekziston mundësia e një bashkëqeverisjeje me PDK-në, Gërvalla e përjashtoi prerazi një skenar të tillë.
Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje edhe për mënyrën si udhëhiqet kjo parti, duke vlerësuar se aty funksionojnë disa qendra vendimmarrjeje, gjë që, sipas saj, e bën të vështirë bashkëpunimin.
“Me PDK-në? Për të luftuar krimin dhe korrupsionin, jo.
Cili është lidershipi i PDK-së? A mund t’ia vini gishtin njërit? Sa kryetarë ka PDK-ja?
Formalisht ka një kryetar, por praktikisht ka disa kryetarë.
Nuk mund të luftohet krimi dhe korrupsioni, nuk mund të çohet vendi përpara me PDK-në në gjendjen në të cilën është sot. Nuk po flas për një kohë të ardhshme, kur mund të ketë ndodhur një reformim i brendshëm, por për momentin absolutisht jo”, deklaroi mes tjerash Gërvalla.
