Anulohet dënimi me 13 vjet burg për Muhamet Alidemajn, çështja rikthehet për rigjykim

Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special pranoi ankesat e Muhamet Alidemajt dhe të mbrojtësit të tij. Ajo anuloi edhe sipas detyrës zyrtare aktgjykimin PS.nr.49/25, të datës 02.02.2026, të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, dhe e ktheu çështjen në rigjykim. Alidemaj do të mbetet në paraburgim deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës së shkallës së parë.

Me aktgjykimin e anuluar, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special e kishte shpallur fajtor Alidemajn për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile në bashkëkryerje, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Vepra është sanksionuar si krim lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës, sipas nenit 146 lidhur me nenin 31 të KPRK. Ai ishte dënuar me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim. Në dënim i ishte llogaritur periudha e kaluar në paraburgim nga data 30.03.2021 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

Të lidhura

None found

Pas shqyrtimit të aktgjykimit, Apeli konstatoi se as gjatë rigjykimit nuk ishin korrigjuar mangësitë e evidentuara në aktvendimin e tij të mëparshëm, për të cilat çështja ishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje. Sipas gjykatës, këto shkelje ndikuan në ligjshmërinë e aktgjykimit dhe e bënë të domosdoshëm anulimin e tij sërish.

Kolegji gjykues vlerësoi se aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Gjykata e shkallës së parë nuk kishte arsyetuar faktet vendimtare për veprimet konkrete dhe kontributin e Alidemajt në bashkëkryerje: ajo kishte vlerësuar vetëm deklaratat e tre dëshmitarëve, duke lënë pa shqyrtuar provat e tjera të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, si veçmas, ashtu edhe në raport me njëra-tjetrën. Po ashtu, nuk kishte dhënë arsye për provat dhe pretendimet e mbrojtjes. Për këtë arsye, Apeli përcaktoi se në rigjykim shkalla e parë duhet të vlerësojë çdo provë veçmas dhe në lidhje me provat e tjera, duke shpjeguar cilat fakte i konsideron të vërtetuara ose të pavërtetuara dhe arsyet e përfundimeve të saj.


Shtuar më 4.11.2026 14:15