Nigel Farage, kreu i “Reform UK”, ka kërkuar që në Britani të mbahen zgjedhje të përgjithshme, duke dalë kundër skenarit që Andy Burnham të marrë drejtimin e qeverisë pa u votuar nga qytetarët.
Sipas Farage, posti i kryeministrit duhet të mbështetet në një mandat të drejtpërdrejtë të dhënë nga publiku, ndërsa Burnham nuk do ta kishte këtë legjitimitet nëse do të përzgjidhej përmes procedurave të brendshme të Partisë Laburiste.
Të lidhura
None found
“Publiku britanik është lodhur nga loja e ndryshimeve në numrin 10 dhe meriton të ketë zgjedhje të përgjithshme”, u shpreh Farage, duke iu referuar ndërrimeve të shpeshta të liderëve në qeverinë britanike gjatë viteve të fundit.
Lideri i Reform UK theksoi gjithashtu se Burnham nuk ka qenë kandidat në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, ndaj, sipas tij, ai nuk lidhet drejtpërdrejt me programin zgjedhor me të cilin Laburistët erdhën në pushtet.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur brenda Partisë Laburiste po vazhdon debati mbi mënyrën se si do të zgjidhet lideri i ri, ndërsa Andy Burnham konsiderohet si një nga emrat kryesorë për të zëvendësuar Keir Starmer.
