Pretendimet për vdekjen e Kim Jong-un përhapen në rrjet, ja kush mund ta pasojë në Korenë e Veriut

Spekulimet mbi vdekjen e liderit të Koresë së Veriut kanë shkaktuar reagime dhe diskutime në mediat ndërkombëtare. Pretendimet thonë se Kim Jong-un kishte pësuar një hemorragji të rëndë cerebrale, kishte rënë në koma dhe më pas kishte vdekur në një spital në Pekin të Kinës.

Të lidhura

None found

Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, këto zëra nisën pas një postimi në platformën X nga disidenti kinez Wanjun Xie, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai nuk publikoi asnjë provë për të vërtetuar deklaratat e tij.

Raportimet zyrtare nga Pheniani paraqitën një situatë tjetër. Mediat shtetërore të Koresë së Veriut njoftuan më 20 tetor se Kim Jong Un kishte marrë pjesë një ditë më parë në një ekspozitë veshjesh dhe këpucësh në Phenian. Në fotografitë e publikuara, ai shfaqej së bashku me vajzën e tij, Kim Ju Ae.

Edhe zyrtarët e sigurisë dhe të diplomacisë së Koresë së Jugut thanë se nuk dispononin të dhëna që të mbështesnin lajmin për vdekjen e liderit koreano-verior. Për rrjedhojë, bëhet fjalë për një pretendim të pakonfirmuar, i cili nuk mund të konsiderohet fakt.

Kush mund ta pasojë Kim Jong Un në drejtimin e Koresë së Veriut?

Çdo largim i Kim Jong Un nga pushteti ose pamundësi e tij për të qeverisur do të hapte menjëherë çështjen e pasuesit në krye të një prej regjimeve më të izoluara në botë.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut (NIS) ka vlerësuar se vajza e liderit, Kim Ju Ae, e cila besohet të jetë rreth 13 vjeçe, po përgatitet për të marrë një ditë drejtimin e vendit.

Reuters raportoi më 6 prill 2026 se inteligjenca koreano-jugore kishte marrë informacione të besueshme, të cilat përforconin vlerësimin se Kim Ju Ae ishte vendosur si një pasuese e mundshme. Pjesëmarrja e saj e shpeshtë në ceremoni shtetërore dhe aktivitete ushtarake është parë si një mënyrë për ta përgatitur për një rol të ardhshëm udhëheqës.

Megjithatë, Pheniani nuk e ka shpallur zyrtarisht Kim Ju Ae si trashëgimtare. Për shkak të moshës së saj të re, si dhe faktit që Korenë e Veriut e kanë drejtuar deri tani vetëm burra të familjes Kim, mbetet e paqartë se si do të mund të zhvillohej një transferim i tillë i pushtetit.

Në skenarët për të ardhmen e udhëheqjes së vendit përmendet edhe Kim Yo Jong, motra e liderit aktual.

Kim Yo Jong ka një pozitë të rëndësishme në komunikimin politik të regjimit dhe ka folur publikisht për marrëdhëniet me Korenë e Jugut. Sipas Reuters, më 19 tetor 2026 ajo deklaroi se Pheniani po shqyrtonte masa të tjera ushtarake, si edhe rikthimin e transmetimeve me altoparlantë pranë kufirit jugor.

Nëse në vend do të krijohej papritur një vakum pushteti, Kim Yo Jong mund të ishte një prej figurave që do të merrte pjesë në administrimin e përkohshëm. Sidoqoftë, nuk ekziston një vendim i konfirmuar se ajo do të bëhet udhëheqëse, ndërsa inteligjenca e Koresë së Jugut e sheh Kim Ju Ae si pasuesen e mundshme afatgjatë.


Shtuar më 20.10.2026 16:52