Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka miratuar ndryshime dhe plotësime në Udhëzuesin për veprimtarinë e përditshme të Zyrës së Regjistrit. Ky vendim synon të respektojë kompetencat dhe pavarësinë funksionale të prokurorëve specialë për nisjen e hetimeve sipas detyrës zyrtare.
Të lidhura
None found
Në bazë të vendimit të ri, prokurorët specialë mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Zyrës së Regjistrit për të marrë numrin e regjistrimit të një lënde, kur duan të fillojnë hetime sipas detyrës zyrtare. Për këtë veprim nuk kërkohet më autorizim paraprak nga Kryeprokurori.
Ndryshimet kanë për qëllim thjeshtimin e procedurës administrative për regjistrimin e lëndëve, si dhe nxitjen e prokurorëve për të hetuar, sipas detyrës zyrtare, veprat penale që përfshihen në kompetencat ligjore të Prokurorisë Speciale.
Prokuroria Speciale ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në hetimin e të gjitha veprave penale që janë në juridiksionin e saj, në përputhje me ligjin në fuqi.







