Vitet e fundit, Franca është përballur me një valë të rëndë trazirash sociale, e cila në muajt e fundit të presidencës së Emmanuel Macronit e ka thelluar krizën. Situata ka nxjerrë në pah vështirësitë e një udhëheqësi që përpiqet të frenojë pakënaqësinë me ndikim të vogël ekonomik, mbështetje të kufizuar politike dhe kontroll gjithnjë e më të pasigurt mbi rendin publik.
Të lidhura
None found
Përplasjet e dhunshme që u përhapën në vend të shtunën lanë pas dyqane të plaçkitura, ndërtesa të djegura dhe shërbime publike të dëmtuara. Ato përbëjnë një nga sfidat më të mëdha në fazën përmbyllëse të presidencës së Macronit: shoqëria kërkon më shumë, ndërsa shteti ka gjithnjë e më pak mundësi për të përmbushur pritshmëritë.
Kur mori pushtetin gati një dekadë më parë, Macron premtoi të ndryshonte ekuilibrat e konsoliduar të politikës franceze, të përshpejtonte reformat ekonomike dhe të forconte autoritetin shtetëror përmes një presidencë më të vendosur.
Tani, me vetëm gjashtë muaj të mbetur në mandat, ai është një president në largim me kapacitet të kufizuar për të vepruar. Franca po përballet me paralizë politike, presion fiskal në rritje dhe trazira sociale që po tregojnë kufijtë e fuqisë së shtetit.
Gjatë protestave të “Jelekëverdhëve” më 2018-2019, Macron u përpoq të zbusë pakënaqësinë duke ofruar koncesione ekonomike me vlerë miliarda euro. Sot, financat publike të ngarkuara dhe parlamenti i fragmentuar i lënë shumë pak hapësirë për manovrim.
Edhe ish-aleatë të tij po e kritikojnë publikisht dhe ia faturojnë ngërçin politik vendimit për të shpallur zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2024, hap që ia dobësoi pushtetin politik.
“Fundi i këtij mandati është një vdekje e ngadaltë”, shkroi në X Loïc Quevran, ish-deputet i kampit të Macronit.
“Me vendimin absurd për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare në vitin 2024, presidenti e ka paralizuar vendin. Ky është padyshim një nga vendimet më të këqija në historinë e Republikës së Pestë Franceze”, shtoi ai.
Ndërkohë, trazirat mund t’i sjellin përfitime Marine Le Penit, udhëheqëses së ekstremit të djathtë të Tubimit Kombëtar. Ajo shihet tashmë si kandidatja kryesore për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe mund të përfitojë nga pakënaqësia për rënien e standardit të jetesës, si edhe nga shqetësimet për sigurinë publike pas dhunës së fundjavës.
“Le Penit nuk i duhet më të shpenzojë asnjë euro për fushatë”, tha për Reuters Jean-Baptiste Moreau, ish-ligjvënës në kampin e Macronit.
“Ajo nuk ka thjesht një rrugë të hapur përpara. Ka një autostradë me gjashtë korsi”, shtoi ai.
Të dielën, Le Pen iu drejtua francezëve përmes një videoje, ku e paraqiti qeverinë e Macronit si një autoritet në rënie dhe veten si udhëheqësen që mund të rikthejë rendin.
Kur Macron foli më vonë për publikun, ai nuk shpalli gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk bëri të ditura masa të posaçme drastike.
Gjatë fjalimit të tij, plaçkitjet vijuan për natën e dytë radhazi, edhe në lagjet e pasura të Parisit. Si pasojë, kryeministri Sébastien Le Corneille njoftoi dje vendosjen e orëve policore lokale.
Reagimi i presidentit nuk i bindi as kundërshtarët politikë dhe as ish-aleatët e tij. Veçanërisht kritik u tregua ish-kryeministri Edouard Philippe, i cili po përgatit kandidimin për zgjedhjet presidenciale.
“President, ju dëgjova mbrëmë. Ashtu si miliona francezë, do të kisha dashur të dëgjoja vendime dhe nisma për rikthimin e rendit. Vendi ynë ka nevojë për dikë që ta qeverisë”, shkroi ai në X.
Megjithatë, edhe Philippe e ka të vështirë të shkëputet nga lidhja e tij politike me Macronin.
Sondazhet e fundit tregojnë se Jean-Luc Mélenchon, udhëheqësi i së majtës radikale, po e kalon me një epërsi të vogël në garën për të hyrë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Sipas vlerësimeve të sondazheve të përmendura nga Reuters, një zhvillim i tillë mund ta favorizojë vendosmërisht Le Penin.







