Masakroi Vllazninë në Europë, UEFA merr vendimin e çuditshëm për gjyqtarin rus

Vllaznia ka arritur të enjten në darkë një rezultat fantastik duke u kualifikuar në një ndeshje emocionuese në “Loro Boriçi” në turin tjetër të Ligës së Konferencës. Ky ishte një kualifikim i merituar përballë Shiroki Brijeg sidomos për peripecitë e ndeshjes së parë ku kuqeblutë u masakruan nga gjyqtari rus Aleksei Matjunin.

Shkodranët ishin shume të pakënaqur dhe akuzuan gjyqtarin në fjalë se kishte qenë i njëanshëm në vendimet e tij, pasi dha penallti të dyshimta e kartonë të verdhë e të kuq të pakuptimtë për ta në ndeshjen që e humbën me shifrat 3-1 në transfertë. Ndaj nuk ishte rastësi që shkodranët iu drejtuan UEFA-s për të kërkuar drejtësi duke pretenduar që kjo e fundit të ndëshkonte gjyqtarin në fjalë.

Por me sa duket në zyrat e organizatës që drejton futbollin në Europë, nuk i shohin ngjarjet e asaj ndeshje në të njëjtin këndvështrim me kuqeblutë. Kësisoj, gjyqtari Majunin jo vetëm që nuk është ndëshkuar nga UEFA, por ai është caktuar që të vazhdojë të drejtojë në Europë. Që në turin e ardhshëm të Ligës së Konferencës ai do të jetë përsëri në fushë, duke drejtuar në ndeshjet e para. Matjunin dhe grupi i asistentëve të tij janë caktuar që të gjykojnë në ndeshjen mes Elfsborg të Suedisë dhe Milsami të Moldavisë, duke lënë me siguri të zhgënjyer në kampin shkodran ku gjykimi i tij u vuri në rrezik kualifikimin.


Shtuar 16.07.2021 23:50