Apeli i GJKKO-së këtë të enjte ka marrë vendimin për ish-ministrin Lefter Koka në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës, duke e rikthyer në qeli.
Në muajin prill të këtij viti, GJKKO shpalli vendimin për inceneratorin e Tiranës, duke dhënë në total 15.6 vite burg për 7 të pandehur, nga 26 vite burg që kishte kërkuar Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Të lidhura
None found
Ish-ministri Koka u dënua me tre vite burg, ndërsa SPAK kishte kërkuar që ai të dënohej me 4 vite burg. Por Koka përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, duke iu ulur dënimi në 2 vite burg, të cilat i kishte shlyer me periudhën e paraburgimit.
Megjithatë, Apeli i GJKKO-së ka bërë përllogaritjen e saktë të kohës së dënimit që ish-ministri duhet të shlyejë. Sipas këtij vendimi, Kokës i kanë mbetur edhe 6 muaj burg, ndaj ai duhet të kthehet në qeli.
Kujtojmë se më 11 dhjetor 2025, GJKKO hoqi masën e sigurisë “arrest me burg” për çështjen e inceneratorit të Fierit. Çështja është kthyer për rigjykim, por ende nuk është regjistruar në Apel. Në këtë kuptim, kishte përfunduar afati i mbajtjes në paraburgim, përderisa nuk kishte një vendim të formës së prerë.
Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021, i akuzuar për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me aferat korruptive për inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të SPAK-ut, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit nga kjo skemë mashtrimi.
Në korrik 2025, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, me gjykim të shkurtuar. Për çështjen e Tiranës, iu shua masa e sigurisë “arrest në burg”, pasi dënimi prej 2 vitesh për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë ishte ezauruar me paraburgimin.
