Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, foli në Kuvend për situatën politike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se ligji përdoret si mjet për të mbrojtur pushtetin, por jo qytetarin.
Ajo e krahasoi situatën me djegien e pallatit pranë Farmacisë nr 10 në Tiranë, duke shtuar se e njëjta po ndodh edhe me shtetin dhe institucionet e kapura nga pushteti.
Të lidhura
None found
Ajo solli në vëmendje edhe dy raporte ndërkombëtare, që sipas saj japin një panoramë alarmante për Shqipërinë. Topalli përmendi të dhënat e Eurostat-it për nivelin e varfërisë, duke theksuar se shumë familje shqiptare nuk arrijnë të mbulojnë nevojat bazë, si edhe raportin e PE që evidenton shqetësime për korrupsionin, demokracinë dhe funksionimin e shtetit ligjor.
“Pak ditë më parë u dogj fasada e një pallati. Një fasadë e bukur, e reklamuar si modernitet po mjaftoi një shkëndije dhe gjithcka mori flakë menjëherë se kur ndërtohet mbi shkelje ligji, nuk qëndron. Njëlloj si ajo fasadë janë djegur zgjedhjet e lira, po digjet parlamenti e besimi i qytetarëve te demokracia. Ndërsa propaganda vazhdon të lyejë muret nga jashtë shqiptarët, po jetojnë brenda një shteti, ku liria e drejtësia e vota janë më të brishta sa fasada që u dogj një regjim kujdeset më shumë për fasadën, sesa për themelet, zjarri bëhet i pashmangshëm. Vetëm në ditët e fundit kemi dy raporte ndërkombëtare alarmante për atë që ndodh në Shqipëri, njëri i Eurostat që flet për varfëri në Shqipëri në nivelin 40 përqind të shqiptarëve që nuk mbyllin muajin për nevojat më elementare të ushqimit dhe i dyti të PE që flet për rrëshqitje të demokracisë, korrupsion dhe rënie të shtetit ligjor”, tha ajo.
Ish-kryetarja e Kuvendit ngriti akuza edhe për situatën në burgje, ku sipas saj janë krijuar privilegje për persona të lidhur me pushtetin dhe krimin. Ajo tha se ndërkohë që persona me pushtet përfitojnë trajtim preferencial, figura të opozitës përballen, sipas saj, me “trajtim çnjerëzor dhe shkelje të konventave ndërkombëtare”.
“Eshtë ndërtuar një realitet paralel, në burgje bëhen festa me alkool e lëndë narkotike, ku nuk është më vend ndëshkimi por vend privilegjesh për të fortët. Por për ish kryetarë parlamenti, ish president e ish kryeministër ai është vend torturash ku nuk njihet më asnjë konvente. Nga qelitë drejtojnë trafiqe droge, vendoset për zgjedhje, dhe drejtohen tendera milionëshe. Ku drejtësia sfidohet hapur, opozitës i hiqet mandate ndërsa pushteti eshtë gjithmonë mbi ligjin”, tha ajo.
Në deklaratën e saj, Topalli përmendi edhe shpenzimet publike, duke kritikuar organizimin e koncertit të Kanye West në një kohë kur qytetarët përballen me varfëri.
Deputetja ngriti shqetësim edhe për numrin e të burgosurve që kanë humbur jetën në qeli, duke deklaruar se, “mbi 150 persona kanë humbur jetën dhe askush nuk flet”.
Sipas Topallit, Shqipëria po shkon drejt një modeli ku “pakica pasurohet me pushtetin, ndërsa shumica jeton me pasiguri dhe frikë”.
“Ku shpenzohen 50 mln euro për një koncert një ditor, ndërsa në burgje blihet cdo privilegj, edhe një telefon me mijëra euro. Mbi 150 të burgosur kanë humbur jetën në qeli dhe askush nuk flet, thua se aty janë mbyllur për të luajtur me jetën e tyre. Në një vend normal duhet të ishte alarm ndërkombëtar, kërtu nuk është më shtet, është cirk i milionerëve ku pakica pasurohet në errësirë dhe shumica jeton në siguri e frikë. Keni ndërtuar një Shqipëri ku pakica pasurohet me pushtetin, ndërsa shumica jeton me pasiguri”, tha ajo.
