Gjatë një deklarate për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Speciale, e cila e shtyu me dy muaj dhënien e vendimit për ish-krerët e UÇK-së, nuk ka lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen në 7 qershor në Kosovë.
Kurti u shpreh se Qeveria e Kosovës, nuk ka akses te kjo gjykatë.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. Kurti tha se beson në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë.
Në lidhje me zgjedhjet të cilat do të mbahen në 7 qershor, Kurti deklaroi se Vetëvendosja do të kapërcejë edhe rezultatin e 28 dhjetorit.
“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj, vendimi i tyre, ne e morëm vesh njësoj sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale. Gjykata Speciale nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë e në shërbim të të cilit thuhet se është. Edhe njëherë e theksoj, Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, të luftëtarëve të saj, të cilët vazhdojnë që të mbahen në burg, padrejtësisht në Hagë.
Besoj që qytetarët e Republikës e kanë kuptuar që çdo herë kur përpiqesh të ja vësh digën një rrjedhe socio-historike e politike qysh është Lëvizja Vetëvendosje, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë diga është rritur prurja. E tash bash saktësisht sa do të jetë, do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, tha Kurti.
Disa ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shpalli 7 qershorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare.
Këto janë zgjedhjet e treta që Kosova mban brenda një viti gjysëm. Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përfundoi në shkurt, ndërsa aktgjykimi pritej këtë muaj.
Por paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, dhe Rexhep Selimit, deri më 20 korrik.
