Ishte armatosur rëndë, identifikohet autori i sulmit në eventin ku ndodhej presidenti Trump (FOTO)

Janë zbardhur informacione të reja mbi autorin e dyshuar të incidentit me armë gjatë darkës së gazetarëve në hotelin Hilton Washington, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti amerikan, Donald Trump.

Sipas mediave amerikane, i dyshuari është parë duke vrapuar drejt sallës ku po zhvillohej eventi, përpara se të ndalohej nga forcat e sigurisë. Ai është identifikuar si 31-vjeçari Cole Thomas Allen.

Autoritetet në Washington DC bëjnë me dije se i dyshuari ndodhet aktualisht në një spital lokal, ku po merr trajtim mjekësor, ndërsa mbahet nën mbikëqyrjen e policisë.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Todd Blanche, deklaroi se ndaj tij pritet të ngrihen akuza “shumë shpejt”.

Sipas Jeffery W. Carroll, shef i përkohshëm i Departamentit të Policisë Metropolitane, i dyshuari ishte i pajisur me disa armë.

“Ai ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika”, u shpreh ai.

Ndërkohë, agjenti i Shërbimit Sekret që mbeti i plagosur gjatë ndërhyrjes është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.


Shtuar 26.04.2026 08:01