Djali i ish-zv/drejtorit të policisë Erzen Breçani nuk do të rikthehet në qeli. Pavarësisht se i këputi këmbën me makinë një vajze 23-vjeçe, e cila po ecte në trotuar në zonën e Kinostudios, Jehon Breçani do të vijojë që të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kronologjia e ngjarjes së rëndë:
Rreth orës 19:15 të datës 10 qershor makina luksoze nën drejtimin e 19-vjeçarit Jehon Breçani djali i ish- numrit dy të Policisë së Shtetit Erzen Breçani për shkak të shpejtësisë doli nga rruga në zonën e Kinostudios dhe goditi vajzën 23-vjeçe dhe më pas u përplas me një pemë që ishte buzë rrugës duke përfunduar në fund në murin e një zyre noterie.
Vajza Xhesina Gega humbi njërën këmbë në vend nga goditja duke përfunduar rëndë në spital, ndërsa disa ditë më pas gjendja u stabilizua. Për Breçanin fillimisht u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, por më pas ajo u ndryshua në “arrest shtëpie” dhe i riu iku menjëherë në shtëpi pasi u shërua nga dëmtimet e marra prej aksidentit.
Prokuroria e Tiranës apeloi vendimin duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë për Breçanin nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”. Por ditën e sotme, gjykata e Apelit në njoftimin për mediat thekson se prokuroria u tërhoq nga ankimimi.
“Referuar kërkesës së paraqitur nga organi i prokurorisë për heqjen dorë nga ankimi, vendosi “mospranimin e ankimit ndaj vendimit nr.938/1 akti, datë 25.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkak të heqjes dorë prej ankimit. Pra është vendosur që të mbetet në fuqi masa “arrest shtëpie” për Jehon Breçanin”.
Ngjarja e rëndë shkaktoi mjaft reagim publik pasi arroganca dhe pakujdesia e të rinjve të pasur me makine luksoze në rrugët e Shqipërisë është duke rrezikuar çdo ditë jetën e qytetarëve. /abcnews.al