Trazirat mes tifozëve pas finales në “Wembley”, pilotit të Mclarenit i vjedhin orën e shtrenjtë

Mbrëmje shumë e keqe për Lando Norris ajo e finales së Euro 2020. Pas disfatës së Anglisë së tij me penallti, përballë Italisë, piloti i McLaren në Formula 1 u gjend krejt papritur mes rrëmujës së shkaktuar nga tifozët jashtë stadiumit Wembley. Rezultati, në fakt, nuk ishte ndonjë dëmtim fizik por humbja e orës së dorës me vlerë 40 mijë stërlina.

Ngjarja është raportuar nga vetë skuderia britanike, McLaren. Rreth 2500 njerëz morën pjesë në përleshjen masive, shumica e të cilëve nuk kishin mundur të siguronin një biletë për të hyrë në stadium dhe për këtë arsye qëndruan jashtë.

Komunikata e McLaren:

“McLaren konfirmon që Lando Norris ishte përfshirë në një aksident pas finales së Euro 2020 në Wembley, ku iu vodh ora që mbante në dorë. Për fat të mire, Lando nuk u dëmtua, por ai është tronditur nga ajo që i ndodhi. Ekipi është duke e mbështetur Landon dhe ne jemi të sigurt që tifozët do të bashkohen me ne për t’i uruar atij më të mirën për Çmimin e Madh të Britanisë, fundjavën e ardhshme.”


Shtuar 13.07.2021 18:22