Ka zgjatur vetëm pak orë arratia e autorit të vrasjes së dy vëllezërve shqiptarë në Malin e Zi ditën e sotme (21 prill).
Policia në Podgoricë ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e trefishtë që tronditi qytetin, Vehad Murić, 25 vjeç (foto poshtë).
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit zyrtar të autoriteteve, i riu nga Rozhajë u lokalizua dhe u vu në pranga pas një operacioni të gjerë policor, të zhvilluar nga strukturat e sigurisë në veri dhe qendër të vendit. Arrestimi u krye në një zonë të hapur në qendër të qytetit të Rozhajës, pas një sërë veprimesh operative dhe taktike.
Murić dyshohet se një natë më parë, në lagjen Stari Aerodrom të Podgoricës, ka vrarë me armë të ftohtë tre persona: vëllezërit Denis Hot dhe Nezrin Hot (foto poshtë), si dhe Kenan Miraljemović, shtetas i Serbisë nga Novi Pazari.
Autoritetet bëjnë me dije se ndaj tij rëndon akuza për “vrasje të rëndë”, ndërsa pritet që, së bashku me kallëzimin penal, të dërgohet në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë për vijimin e procedurave.
Policia thekson se, në këtë fazë të hetimeve, janë mbledhur prova të mjaftueshme që e identifikojnë Murić si autor të drejtpërdrejtë të krimit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
