Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, theksoi nga Samiti i Diasporës, që po mbahet në Tiranë, se diaspora ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme e Shqipërisë.
Në fjalën e tij, ai theksoi se marrëdhënia me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim, por tani është një “rrugë me dy kahje”.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se përgjegjësia është e jona nëse gjuha shqipe dobësohet, ndërkohë që më përpara ajo ka arritur t’i rezistojë shekujve.
Këtu ai përmendi edhe protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, teksa tha se ata kërkuan një të drejtë legjitime për gjuhën amtare.
“Nëse gjuha jonë i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e të lidhur, atëherë përgjegjësia është vetëm jona. Kjo është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve të RMV për të ushtruar të drejtën e tyre në gjuhën amtare.
Këtë duhet të keni parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët e organizatorët. Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje dhe shumë mbështetje konkrete. Forca jonë ka qenë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën, të ndërtojmë ura me të tjerët por pa shembur themelet tona dhe gjuhën shqipe, ta çojmë në vendin që meriton në familjen e madhe evropiane. Suksesi juaj nuk është vetëm personal por kombëtar. Edhe nga larg, ju keni qene gjithmonë afër”, tha ai.
Fjala e plotë e Ministrit në Samitin e Diasporës:
Sot nuk mblidhemi thjesht për një takim të radhës.
Si çdo herë kur bëhemi bashkë, përfaqësues të një kombi të shtrirë në rajon dhe një shoqërie që jeton në shumë vende, sot në këtë sallë të madhe e të mbushur plot rreh një zemër e madhe.
Një zemër që e bën këtë qytet – sot e përditë – më shumë se kryeqytetin e Shqiprisë: e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne.
Samiti i IV-të i Diasporës vjen në një moment kyç, siç e theksoi dhe Presidenti dje.
Ndërsa bota përreth nesh po ndryshon në mënyrë marramendëse, Shqipëria po ecën më shpejt se kurrë drejt të ardhmes evropiane që i ka projektuar vetes. Këtë mund të them me bindje dhe për Kosovën.
Dhe shqiptaria, kudo që ndodhet, është sot më e fortë dhe më e gjallë se kurrë.
Ky realitet na kujton një të vërtetë thelbësore: diaspora nuk është thjesht “jashtë”.
Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë.
Jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.
Për shumë vite, marrëdhënia jonë me diasporën është parë si një rrugë me një drejtim. Sot e dimë: është një rrugë me dy kahje.
Historia jonë e përbashkët na ka mësuar se largësia nuk e dobëson lidhjen. Përkundrazi, e forcon atë.
Por kjo lidhje kërkon kujdes, kërkon vëmendje dhe, mbi të gjitha, kërkon dëgjim.
Kemi shumë për të thënë për kulturën, identitetin, inovacionin, turizmin, zhvillimin lokal, talentet dhe të rinjtë, për shërbimet në linjë, përfshirë shërbimin tonë konsullor. Nuk do të ndalem këtu sepse për të gjitha këto e shumë të tjera do të diskutojmë ne detaje gjatë këtyre ditëve.
Por në këto minuta hyrëse, më lejoni të them dy fjalë mbi një aspekt të veçantë e themelor: gjuha shqipe.
Sepse ajo është ADN-ja jonë.
Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi — është kujtesë, identitet, është vazhdimësi.
Pa gjuhën, do të na mbetej vetëm trupi; dhe një trup pa shpirt varfërohet e tkurret.
Prandaj, përpjekjet për gjuhën – në Shqipëri, në rajon dhe në diasporë – janë përpjekje për të qenë vetvetja.
Gabimi më i madh do të ishte të ngatërronim të përkohshmen me të përhershmen.
Të sakrifikonim thelbin me lehtësinë e momentit.
Nëse gjuha jonë, e cila u ka rezistuar shekujve në kohë shumë më të vështira, dobësohet sot – kur jemi më të ditur, më të fortë dhe më të lidhur se kurrë – atëherë përgjegjësia është vetëm e jona.
Ky është mesazhi i kërkesës legjitime të studentëve në Maqedoninë e Veriut për të ushtruar të drejtat e tyre në gjuhën amtare.
Këtë duhet ta kemi parasysh edhe për mësuesit, vullnetarët dhe organizatorët në diasporë, që mbajnë gjallë gjuhën tonë çdo fundjavë, në çdo klasë, në çdo aktivitet.
Ata meritojnë jo vetëm mirënjohje; meritojnë më shumë mbështetje konkrete dhe për këtë jemi të angazhuar me gjithë ekipin në Ministrinë e Jashtme.
Forca jonë ka qenë gjithmonë të jemi të hapur, të mësojmë gjuhë të tjera por pa harruar tonën.
Të hapemi ndaj botës, pa humbur veten.
Të ndërtojmë ura me të tjerët, pa shembur themelet tona.
Dhe ne kemi marrë angazhimin që gjuhën shqipe, pjesë e familjes së madhe indo-evropiane, ta çojnë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane.
Të dashur bashkëatdhetarë,
Historia e diasporës është histori sakrifice, qëndrese dhe përkushtimi. Por çdo ditë e më shumë, ajo është edhe histori suksesi.
Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë por me shumë kurajë, tek profesionistët e sotëm që udhëheqin në shkencë, teknologji, biznes e kulturë — ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale.
Suksesi juaj nuk është vetëm personal — është edhe kombëtar. Sepse çdo arritje e juaja është një dritare më shumë për Shqipërinë në botë.
Shqipëria që transformohet dhe diaspora që afirmohet janë dy anë të së njëjtës medalje.
Dhe kjo medalje ka një emër: shqiptaria në zhvillim dhe forcim.
Edhe nga larg, ju keni qenë gjithmonë afër.
Në kohë të vështira, keni qenë mbështetje.
Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë.
Ky samit nuk është një ceremoni.
Është një hapësirë pune. Një laborator idesh.
Një pikë takimi në mënyrë që vizioni i përbashkët të kthehet në bashkëveprim.
Përgjatë këtyre ditëve, do të diskutojmë për sfida dhe mundësi konkrete: për mundësi e oportunitete, projekte e aktivitete, për shkëmbim dijesh dhe për ruajtjen e identitetit.
Do të dëgjojmë edhe kritikat, por edhe propozimë e rekomandime.
Nuk do të kemi monolog – sepse duam dialog.
Nuk do të flasim për ju – sepse duam te flasim me ju.
Nuk do të jeni dëgjues apo spektatorë — sepse ju duam aktorë;
Jo me ndjenjën e fajit por me peshën e përgjegjësisë dhe energjinë e mundësisë;
Pikërisht për këtë kemi ndërtuar plot 19 panele bashkëbisedimi, si asnjëherë më parë, me tematika shumë të larmishme, si dhe plot aktivitete anësore specifike që prekin drejtpërdrejt jetën tuaj dhe ndikojnë në të ardhmen tonë të përbashkët.
Sepse kemi shumë për të thënë e për të ndarë, por dhe më shumë për të bërë.
Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe ambicioz njëkohësisht: të mësojmë nga njëri-tjetri, të ndërtojmë ura më të forta dhe të krijojmë mekanizma konkretë që e bëjnë këtë lidhje të qëndrueshme, funksionale, efektive.
Sepse Atdheu është kudo ku ka shqiptarë.
Sepse, siç e kemi thënë, përmes rrënjëve lartësohemi dhe përmes dijes forcohemi.
Faleminderit të gjithëve që jeni këtu — si pjesëmarrës, moderatorë, panelistë, kontribues dhe bashkëudhëtarë në këtë rrugëtim.
Një gjë është e qartë: e ardhmja e sigurtë dhe e begatë ndërtohet më mirë dhe më shpejt së bashku.
Më këto fjalë, më lejoni tani të ftoj Kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama — njeriun që e ideoi dhe i dha jetë samitit dhe partneritetit me diasporën.
