Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka kërkuar interpelancë urgjente në Kuvend me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, duke ngritur shqetësimin e depërtimit të elementëve kriminalë në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në një deklaratë, Balliu theksoi se raportet e ndërkombëtarëve kanë evidentuar dobësi në strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri, duke i konsideruar ato të ekspozuara ndaj infiltrimit kriminal.
Të lidhura
None found
Sipas tij, depërtimi i elementëve kriminalë në polici përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e vendit.
“Raportet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal. Kur elementë kriminalë arrijnë të depërtojnë në strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin, kjo përbën jo vetëm një problem institucional, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar ndaj partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë”, shprehet deputeti.
Ai vë në pikëpyetje edhe efektivitetin e procesit të verifikimit të integritetit në polici, duke e cilësuar atë si një reformë që ka dështuar në praktikë.
Deputeti kërkon transparencë për mënyrën e menaxhimit të emërimeve, promovimeve dhe mekanizmave të kontrollit.
Balliu kërkon që Ministri i Brendshëm të japë shpjegime për mungesën e masave parandaluese, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme.
Ai shton se publiku ka të drejtë të dijë nëse situata është pasojë e paaftësisë institucionale, apo e një bashkëpunimi të mundshëm mes qeverisë dhe krimit të organizuar.
“Në një demokraci funksionale, përgjegjësia për integritetin dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë është edhe përgjegjësi politike. Për këtë arsye është e domosdoshme që qeveria dhe Ministria e Brendshme të japin shpjegime të qarta për mënyrën se si janë menaxhuar proceset e emërimeve, promovimeve dhe mekanizmat e kontrollit të integritetit brenda Policisë së Shtetit”, shton ai.
Deklarata e plotë:
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kam depozituar në Kuvend kërkesën për interpelancë urgjente me Ministrin e Brendshëm, lidhur me shqetësimet serioze për nivelin e inkriminimit dhe cenueshmërisë së Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar.
Raportet e partnerëve ndërkombëtarë dhe të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se strukturat e zbatimit të ligjit në Shqipëri mbeten të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe infiltrimit kriminal.
Kur elementë kriminalë arrijnë të depërtojnë në strukturat që kanë për detyrë të luftojnë krimin, kjo përbën jo vetëm një problem institucional, por edhe një rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe për besueshmërinë e shtetit shqiptar ndaj partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.
Në një demokraci funksionale, përgjegjësia për integritetin dhe funksionimin e institucioneve të sigurisë është edhe përgjegjësi politike. Për këtë arsye është e domosdoshme që qeveria dhe Ministria e Brendshme të japin shpjegime të qarta për mënyrën se si janë menaxhuar proceset e emërimeve, promovimeve dhe mekanizmat e kontrollit të integritetit brenda Policisë së Shtetit.
Zhvillimet e fundit ngrenë pikëpyetje serioze edhe mbi efektivitetin e procesit të verifikimit të integritetit në polici, i cili u prezantua si një reformë e rëndësishme për pastrimin e radhëve të policisë nga korrupsioni dhe lidhjet me krimin. Qartazi ky proces ka dështuar.
Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, profesionale dhe të besueshme të zbatimit të ligjit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një prioritet i përbashkët i shtetit shqiptar dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe kjo kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe standarde të larta integriteti.
Për këtë arsye, përmes kësaj interpelance kërkoj që Ministri i Brendshëm të paraqitet përpara Kuvendit dhe të japë shpjegime të plota për këtë situatë shqetësuese. Inkriminimi i strukturave të policisë nuk është një fenomen që lind brenda një dite. Ai është rezultat i një procesi të gjatë degradimi institucional, i cili nuk mund të ndodhë pa dështim serioz të mekanizmave të kontrollit dhe pa përgjegjësi në nivelet më të larta të drejtimit.
Ministri i Brendshëm duhet të shpjegojë pse, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga raportet ndërkombëtare dhe sinjaleve të shumta që kanë dalë në dritë gjatë viteve të fundit, nuk janë marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar këtë nivel infiltrimi të krimit në Policinë e Shtetit.
Publiku shqiptar ka të drejtë të dijë nëse kjo situatë është rezultat i neglizhencës dhe paaftësisë institucionale, apo nëse mungesa e veprimit dhe tolerimi i këtyre fenomeneve ka ardhur si rrjedhojë e një bashkëpunimi të ngushtë midis qeverisë dhe krimit të organizuar për përfitime të përbashkëta monetare dhe elektorale.
