Ditën e sotme, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama, komentoi drejtësinë, për të cilën ka qenë kritike, sidomos me rastin e Belinda Ballukut.
“Askush nuk mund të tregojë fakte, se me fjalë e spekulime, me qëllime të liga, gjithkush mund ta thotë, por me fakte nuk mund të tregojë askush se ku lidhet dhe si lidhet pushteti politik dhe ekzekutiv së bashku me legjislativin si shprehje e pushtetit politik me të gjithë proceset e brendshme në sistemin e drejtësisë që kanë të bëjnë me promovimet, emërimet, inspektimet, shkarkimet.
Ky është fakt. Ne nuk kemi asnjë pushtet me kapacitetin për të ndërhyrë në këtë zinxhir dhe nëse nuk ke kapacitet të ndërhysh në këtë zinxhir, atëherë nuk ke se si të kesh e të akuzohesh për kontroll mbi pushtetin gjyqësor. Sot mund të thuhet gjithçka për çdo gjë por askush nuk mund të japë fakte për mungesën e pavarësisë së drejtësisë. Drejtësia sot është e pavarur dhe kjo është pak, një drejtësi e pavarur nuk është e mjaftueshme për të garantuar një demokraci funksionare.
Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe profesionale, në këto të tjerat ka shumë për të bërë akoma, aq më tepër që drejtësia është pavarësuar në një shtrat të përgjakur dhe të ndyer të drejtësisë që për 100 e kusur vite nuk ka qenë kurr as e lirë dhe as e pavarur. Prandaj, për atë që nuk shkon, më vjen keq ta them për ata që e kërkojnë nga ne, nuk ka të bëjë me ne sepse ne e kemi dorëzuar shpatën e pushtetit gjyqësor te pushteti gjyqësor. Ne kemi qeverinë e vendit, por jo qeverinë e sistemit të drejtësisë”, tha Rama.
