Dy kusherinjtë Niko dhe Afrim Sina janë ekstraduar këtë të premte nga Shqipëria drejt Italisë, ku do të vuajnë dënimin për vrasje.
Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Vrasja e mbetur në tentativë”.
Niko Sina, i njohur edhe si Fasli, është 49 vjeç, ndërsa Afrim Sina, i njohur edhe si Andon, është 52 vjeç. Të dy janë banues në fshatin Rreth Kalë, Dibër.
Sina-t u arrestuan vitin e kaluar në Dibër, teksa fshiheshin me identitet të rremë.
Ata janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Napolit në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili.
Autoritetet italiane i akuzojnë për ngjarjen e ndodhur më 22 shtator 1999 në komunën Griciniano d’Aversa, ku dyshohet se kanë vrarë me sende të forta dhe mjetë prerëse shtetasin shqiptar B.C dhe kanë plagosur rëndë shtetasin tjetër shqiptar F.S. Ngjarja lidhet me përçarje për ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
