Emocione rrëqethëse për Viktor Osimhen para fillimit të ndeshjes në Stamboll, në përballjen mes Gallatasarait dhe Liverpulit në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League.
Sulmuesi nigerian shpërtheu në lot gjatë prezantimit të skuadrave, i pushtuar nga emocionet për koreografinë prekëse të përgatitur nga tifozët turq.
Osimhen, i cili fitoi titullin kampion në vitin 2023 me Napoli nën drejtimin e trajnerit Luçiano Spaletit, nuk arriti të përmbante emocionet përballë mesazhit të tifozëve:
“Ne jemi një familje dhe familja është gjithçka”.
Në tribunë ishte shfaqur një koreografi ku paraqitej sulmuesi në faza të ndryshme të karrierës së tij, ndërsa mbi të ishte figura e nënës së tij që e shikonte nga qielli. Nëna e futbollistit kishte ndërruar jetë kur ai ishte vetëm tre vjeç.
Tifozët e Gallatasarait donin t’i jepnin forcë para një ndeshjeje shumë të rëndësishme kundër Liverpulit, duke i kujtuar se nëna e tij është gjithmonë pranë tij. Osimhen është një idhull për mbështetësit e klubit turk dhe edhe një herë ata treguan dashurinë e madhe për të, madje edhe për të qetësuar zërat e merkatos për interesimin e Juventus.
PANORAMASPORT.AL
