Hakerimi dhe vjedhja e të dhënave nga kompjuterët e prokurorëve të SPAK, GJKKO kalon për gjykim dosjen e tre të pandehurve

Gjykata e Posaçme kaloi sot për gjykim dosjen e tre të pandehurve që dyshohet se hakeruan dhe vodhën të dhëna nga kompjuterët e prokurorëve të SPAK.

GJKKO do të gjykojë për disa vepra penale ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, ish-punonjësin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtarin e burgut të Vlorës, Zambak Gjoni.

Akuzat penale për secilin të pandehur:

Arnold Rrokaj – “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Zambak Gjoni – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Agim Ismaili – “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

Kujtojmë se sulmi kibernetik ndaj SPAK ndodhi më 12 mars 2025, por u zbulua disa ditë më vonë. Sipas SPAK, hakerët tentuan të merrnin informacion nga kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 13.01.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal Nr. 277/1/1, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili”.

2. Në seancën e datës 06.03.2026 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Paulin Çera, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 328, 329, 331, 332, 332/a, 332/b, 332/dh, 332/e, 332/ë, 332/g dhe 332/gj të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 65, datë 06.03.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2. Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal Nr. 277/1/1, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Arnold Rrokaj, akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal; Zambak Gjoni, akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, së bashku me kërkesën e tyre për të proceduar me gjykim të shkurtuar; si dhe të pandehurit Agim Ismaili, akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, për të proceduar me gjykim të zakonshëm. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al

3. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për t’u hedhur në short për gjykimin e themelit, e cila do të përbëhet nga tre gjyqtar.

4. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.


Shtuar 6.03.2026 18:09