Italia planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit Persik, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe sulmeve ajrore iraniane në rajon.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila tha se Roma po shqyrton mbështetje konkrete për vendet e Gjirit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore.
“Ashtu si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, Italia synon të dërgojë ndihmë në vendet e Gjirit, konkretisht në fushën e mbrojtjes dhe në veçanti në mbrojtjen ajrore”, deklaroi Meloni në një intervistë.
Sipas saj, vendimi lidhet jo vetëm me marrëdhëniet e mira me vendet e rajonit, por edhe me nevojën për të mbrojtur qytetarët italianë dhe trupat ushtarake të dislokuara atje.
“Kjo nuk ndodh vetëm sepse ato janë kombe miqësore, por mbi të gjitha sepse dhjetëra mijëra italianë jetojnë në rajon dhe rreth 2 mijë trupa italiane janë të vendosura atje, njerëz që ne duam dhe duhet t’i mbrojmë”, theksoi ajo.
Deklarata e kryeministres vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në rajon dhe për ndikimin e mundshëm në stabilitetin global.

