Në atmosferën e muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët u mblodhën së bashku për një iftar të ngrohtë dhe plot harmoni.
Nën frymën e solidaritetit dhe mirësisë që përcjell ky muaj, tryeza e iftarit u shtrua në Tiranë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar të Arabisë Saudite.
Tryeza u shndërrua në një simbol bashkimi, falenderimi dhe përkushtimi shpirtëror. Në fjalën e tij, ambasadori i Arabisë Saudite përcolli mesazhe paqeje, bashkimi dhe solidariteti.
“E bukura e kësaj mbrëmje Iftari është përkimi me një ditë të shënuar për kujtesën kolektive kombetare si dita e themelimit të të shtetit të parë saudit, ditë kjo që mbart në vetvete një simbolikë dhe një rëndësi të veçantë për të gjithë shtetasit saudit në mbarë botën.
Kjo sofër që na ka mbledhur sonte nën atmosferën kaq të bukur shpirtërore të muajit të begatë dhe të shenjtë të Ramazanit, pasqyrojnë vlerat që bashkojnë popujt tanë, vlerat e tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjelltë, si dhe mishëron thellësinë e marëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës mike të Shqipërisë”, u shpreh ambasadori.
Të pranishmit ndanë jo vetëm ushqimin, por edhe lutjet, buzëqeshjet dhe dëshirën për paqe e mirësi mes njëri-tjetrit.
Tryezës së Iftarit iu bashkuan dhjetëra besimtarë, personalitete të larta shtetërore, si dhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, përfaqësuesve të trupit diplomatik, komunitetit fetar dhe figura të tjera publike.
