Në segmentin “Arrat e Gurrës”, në aksin Librazhd–Prrenjas, situata vijon të mbetet kritike. Qarkullimi i mjeteve është pezulluar për një afat të pacaktuar, pas dëmtimeve të rënda në trupin e rrugës, duke e bërë të pamundur kalimin e automjeteve.
Si pasojë e bllokimit, qindra drejtues mjetesh dhe pasagjerë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në të dyja anët e segmentit. Të përballur me radhë të gjata automjetesh, shumë shoferë janë detyruar të gjejnë alternativa për të vijuar udhëtimin.
Zgjidhja e improvizuar ka qenë devijimi nga Librazhd, duke ndjekur rrugën rurale përmes fshatit Spathar, më pas itinerarin “Egnatia” drejt fshatit Dardhë, për t’u rikthyer sërish në segmentin kombëtar Hotolisht–Prrenjas.
Megjithatë, kjo rrugë alternative po shërben vetëm si një zgjidhje e përkohshme për shmangien e trafikut të rënduar.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve theksojnë se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe një zgjidhje të qëndrueshme, pasi ky aks është i rëndësishëm për lidhjen e zonave lindore me pjesën qendrore të vendit.
