Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi për News24 se kryeministri Edi Rama ndodhet i izoluar politikisht, pasi, sipas tij, askush nuk pranon të bashkëpunojë me të.
Salianji e përshkroi situatën e kreut të qeverisë si “Dimrin e Madh”, duke argumentuar se revolta qytetare e ka zhveshur atë nga legjitimiteti. Ai shtoi se Rama do të përfundojë në koshin e historisë.
Të lidhura
None found
Sipas Salianjit, qytetarët po e lënë Ramën në “Dimrin e Vetmisë së Madhe”, ndërsa ai është përçarë nga babëzia dhe është përçmuar edhe nga ndërkombëtarët. Ish-deputeti tha se populli nuk e pranon më si kryeministër dhe se veprimet e tij tregojnë frikë, deri në atë pikë sa ndjek fëmijët nëpër rrugica. Ai akuzoi gjithashtu Policinë për përdorim të dhunës joproporcionale.
Sa i takon marrëdhënies mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, Salianji pretendoi se të dy mbrojnë njëri-tjetrin, pasi bashkëpunojnë në dëm të interesave të shqiptarëve. Ai u shpreh se Rama mund të largohet vetëm përmes revoltës dhe protestave, ndërsa anëtarësimi i shqiptarëve në Bashkimin Europian kërkon ndërgjegjësim. Sipas tij, Shqipëria ka dy autokratë: njëri në qeveri dhe tjetri në opozitë.
Duke komentuar shpërblimet për punonjësit e Policisë, Salianji tha se Rama e ka mbajtur Policinë e Shtetit në kushte mjerane dhe se ka vendosur ta shpërblejë vetëm tani, kur i rrezikohet karrigia.
Ai akuzoi kryeministrin se shpërblimet i jep për interesa personale, ndërsa shtoi se Rama “e ka marrë tatëpjetën”. Salianji shprehu bindjen se qytetarët do të arrijnë ta largojnë nga pushteti, duke theksuar se ata kanë marrë sovranitetin në duart e tyre dhe se tashmë nuk dihet se ku ndodhet kryeministri.







