Presidenti Begaj uron Kurtin për mandatin e ri qeverisës: Mbështetje vëllazërore për bashkëkombasit

Këtë të enjte, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti, për mandatin e ri qeverisës.

Begaj i ka shprehur urimet e tij për suksese në drejtimin e vendit drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së qytetarëve të Kosovës.

“I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës”, ka shkruar Begaj.

Ai ka theksuar bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve, do të udhëheqin klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave të ardhshme.

Presidenti shqiptar ka siguruar gjithashtu për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë e Kosovës dhe për bashkëkombasit.

 


Shtuar 12.02.2026 09:00