Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi protestat e fundit anti-Olimpike në Milano dhe sabotimin e dyshuar të infrastrukturës hekurudhore, duke i quajtur përgjegjësit armiq të Italisë dhe italianëve të dielën në mëngjes.
Në një postim në Facebook, Meloni shkruan se, protestuesit demonstrojnë ‘kundër Lojërave Olimpike’, duke bërë që këto imazhe të përfundojnë në televizione anembanë botës. “Solidaritet, edhe një herë, me policinë, qytetin e Milanos dhe të gjithë ata që do ta shohin punën e tyre të minohet nga këto banda kriminelësh”, tha ajo.
Associated Press shkruan se, ministria italiane e transportit tha se ka hapur një hetim për terrorizëm mbi sabotimin e sinkronizuar të linjave hekurudhore në Italinë veriore të shtunën, ditën e parë të Lojërave Olimpike. Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë. Sabotimi i dyshuar fillimisht goditi qendrën e Bolonjës, e cila rregullon trafikun hekurudhor midis Italisë veriore dhe asaj jugore, rreth orës 6 të mëngjesit të së shtunës, kur ende ishte errësirë. Më pas goditi trenat e zonës së Pesaros përgjatë bregdetit Adriatik.
Ministria e transportit nuk dha detaje, por tha se do të kërkonte miliona euro kompensim nga autorët. Mijëra pasagjerë u prekën nga vonesat orë të tëra. Në Milano, policia italiane qëlloi gaz lotsjellës dhe topa uji të shtunën në mbrëmje ndaj dhjetëra protestuesve që hodhën fishekzjarre dhe u përpoqën të hynin në një autostradë pranë një vendi të Lojërave Olimpike Dimërore . Konfrontimi i shkurtër erdhi në fund të një marshimi paqësor nga mijëra persona kundër ndikimit mjedisor të Lojërave dhe pranisë së agjentëve amerikanë në Itali .
Përleshja vjen disa ditë pasi qeveria e Melonit miratoi një dekret sigurie që i lejon policisë të ndalojë njerëzit deri në 12 orë kur ka arsye të arsyeshme për të besuar se ata mund të veprojnë si agjitatorë dhe të prishin protestat paqësore. Ligjvënësit e opozitës e kritikuan masën si një sulm ndaj lirisë së shprehjes.
