Gazment Bardhi: Balluku po ndërton një shtet paralel për të penguar drejtësinë, po blen heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj

Me anë të një postimi në Facebook, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thotë se Belinda Balluku po ndërton një shtet paralel për të penguar drejtësinë.

Bardhi shkruan se Balluku e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë 1.1 mld euro po përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar, sipas tij, në korrupsion.

“Belinda Balluku, e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po e përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion. Ndërsa Gjykata Kushtetuese zvarrit vendimmarrjen dhe Kuvendi përdoret si alibi për të mos vepruar, Belinda Balluku po e shfrytëzon kohën e blerë për të ndërtuar një shtet paralel, me një qëllim të vetëm: t’u japë garanci shtesë bashkëpunëtorëve të saj nën hetim që të mos flasin”, shkruan Bardhi.

Bardhi ka sjellë shembujt, sipas tij flagrant, të pengimit të drejtësisë.

Sipas tij “këmbëngulja e Belinda Ballukut për të vendosur Viola Haxhiademin në krye të KESH-it, pavarësisht se është person nën hetim dhe e implikuar në disa nga aferat më të rënda energjitike, nuk ka asnjë lidhje me performancën apo meritën”.

Tjetër shembull që Bardhi sjell është tentativa për t’i dhënë Irma Drobonikut një mandat 5-vjeçar, me votë parlamenti, në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike.

“Edhe ajo person nën hetim. Edhe ajo e besuara e Ballukut dhe e Haxhiademit. Komisioni i Prokurimeve Publike nuk është një institucion dytësor: ai filtron dhe kontrollon çdo procedurë tenderimi në Shqipëri”, shkruan kryetari i Grupit Parlamentar të PD.

REAGIMI I PLOTË:

Belinda Balluku, e pandehur dhe nën hetim për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po e përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e bashkëpunëtorëve të saj të implikuar në korrupsion. Ndërsa Gjykata Kushtetuese zvarrit vendimmarrjen dhe Kuvendi përdoret si alibi për të mos vepruar, Belinda Balluku po e shfrytëzon kohën e blerë për të ndërtuar një shtet paralel, me një qëllim të vetëm: t’u japë garanci shtesë bashkëpunëtorëve të saj nën hetim që të mos flasin.

Shembujt e pengimit të drejtësisë janë flagrantë.

Këmbëngulja e Belinda Ballukut për të vendosur Viola Haxhiademin në krye të KESH-it, pavarësisht se është person nën hetim dhe e implikuar në disa nga aferat më të rënda energjitike, nuk ka asnjë lidhje me performancën apo meritën. KESH është një nyje strategjike e sektorit energjetik, me qarkullim qindra milionë euro fonde publike. Vendosja e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni është një akt i pastër kontrolli politik mbi një sektor kritik, në një moment kur hetimet penale po thellohen. Emërimi i një personi nën hetim në krye të KESH-it është mesazh shpërblyes për heshtje dhe bindje.

Po aq e rëndë dhe e qëllimshme është tentativa për t’i dhënë Irma Drobonikut një mandat 5-vjeçar, me votë parlamenti, në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike. Edhe ajo person nën hetim. Edhe ajo e besuara e Ballukut dhe e Haxhiademit. Komisioni i Prokurimeve Publike nuk është një institucion dytësor: ai filtron dhe kontrollon çdo procedurë tenderimi në Shqipëri. Vendosja afatgjatë e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni synon të garantojë mbrojtje politike dhe qetësi për rrethin e ngushtë të njerëzve të Belinda Ballukut, të cilët sot ndihen realisht të kërcënuar nga drejtësia.

Këto veprime nuk janë të rastësishme. Ato vijnë pas arrestimit të ish-drejtorit të Drejtorisë së Rrugëve, Ervis Berberi, që mund të bashkëpunojë me SPAK-un. Pikërisht për këtë arsye po tentohet kapja afatgjatë e institucioneve kyçe: për qetësim, për garanci dhe për mbyllje gojësh.

Kjo e bën edhe më të qartë strategjinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për të blerë kohë përmes Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit. Ata nuk po presin drejtësinë. Ata po ndërtojnë mekanizma bllokimi kundër drejtësisë. Ky është ndërtim i qëllimshëm i një shteti paralel, për të penguar drejtësinë dhe për të mbytur SPAK-un.

Në çdo demokraci, kjo quhet kapje e shtetit.

Në Shqipëri, po ndodh para syve të të gjithëve.

Dhe çdo ditë heshtjeje, nga cilido institucion, është bashkëpunim me korrupsionin.


Shtuar 1.02.2026 10:55