BE përcaktoi Gardën Revolucionare Islamike si organizatë terroriste, reagon Irani: Gabim i madh strategjik! Evropa po ndez zjarrin

Vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për ta shpallur Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik, ushtrinë ideologjike të Republikës Islamike të Iranit, si “organizatë terroriste”, përbën një “gabim të madh strategjik”, deklaroi sot ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.

“Disa vende po përpiqen aktualisht të shmangin shpërthimin e një lufte të përgjithshme në rajonin tonë. Asnjë prej tyre nuk është evropiane. Evropa është ajo që po ndez zjarrin”, shkroi ai në një postim në platformën X.

Në të njëjtën kohë, forcat e armatosura iraniane e cilësuan “të papërgjegjshëm” dhe “dashakeq” vendimin e 27 vendeve të Bashkimit Evropian për përfshirjen e Gardës së Revolucionit në listën e organizatave terroriste.

“Vendimi absurd, i papërgjegjshëm dhe dashakeq i BE-së është marrë, pa asnjë dyshim, si pasojë e nënshtrimit të verbër ndaj politikave të Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist” (Izraeli), thuhet në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA.

Më herët gjatë ditës, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së arriti një marrëveshje politike për përfshirjen e Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian, duke shënuar një ndryshim të fortë – edhe pse simbolik – në qasjen evropiane ndaj udhëheqjes iraniane.

“Me këtë vendim, Garda e Revolucionit vendoset në të njëjtën kategori me Shtetin Islamik (Daesh), Hamasin, Hezbollah-un dhe Al-Kaedën”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas. Ajo theksoi se shtypja e dhunshme e protestave në Iran ka sjellë një kosto të rëndë njerëzore, duke nënvizuar se “ata që veprojnë përmes terrorit duhet të trajtohen si terroristë”.

E pyetur nëse BE do të mbështeste SHBA-në në një sulm të mundshëm kundër Iranit, Kallas u përgjigj se “rajoni nuk ka nevojë për një luftë tjetër”.

Në të njëjtën linjë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se “termi ‘terrorist’ është vërtet i përshtatshëm për të përshkruar një regjim që shtyp me gjakderdhje protestat e vetë popullit të tij”.

Me këtë vendim unanim të “27”-ës, Bashkimi Evropian harmonizohet me vende të tjera si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.


Shtuar 29.01.2026 19:35

Tags: , ,