Asambleja Zgjedhore në FSHF, zyrtarizohen kandidaturat për president dhe Komitetin Ekzekutiv

Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për garantimin e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor, në zbatim të Rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e radhës për verifikimin e propozimeve dhe kritereve ligjore për kandidatët për postin e Presidentit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe verifikimin e delegatëve të propozuar nga anëtarët e federatës.

Gjatë shqyrtimit, Komisioni analizoi me kujdes çdo propozim të paraqitur nga anëtarët e Asamblesë, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve statutore, integritetin personal dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore të procesit zgjedhor. Në përfundim të procesit të verifikimit, Komisioni konstatoi se 13 kandidatë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së kanë marrë dy propozimet e nevojshme nga anëtarët e Asamblesë dhe plotësojnë kriteret për të qenë zyrtarisht pjesë e garës.

Kandidatët sipas renditjes alfabetike janë:

Abdyl Kuriu

Anila Basha

Arben Dervishaj

Armando Cungu

Blendi Fevziu

Edmond Hasanbelli

Envi Hicka

Erind Resuli

Ervin Canollari

Geri Çipi

Gjergji Petro

Lutfi Nuriu

Pano Xhixho

Për postin e Presidentit të FSHF, është regjistruar kandidatura e z. Armand Duka, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës. Gjithashtu, Komisioni zyrtarizoi listën e delegatëve të anëtarëve të FSHF-së për Asamblenë e datës 16.02.2026, në përputhje me numrin e delegatëve të përcaktuar në Vendimin Nr. 1, datë 03.12.2025. Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF do të zhvillohet më 16 shkurt në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku do të zgjidhen Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin e ri katërvjeçar.


Shtuar 29.01.2026 17:53