I shpallur në kërkim në Shqipëri për armëmbajtje pa leje, arrestohet 41-vjeçari në Itali

Policia italiane ka arrestuar Platin Velajn, 41 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ai u kap gjatë një operacioni policor të zhvilluar në qytetin e Fasanos, në Itali.

Arrestimi u krye nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare e Leçes (GICO), e cila i komunikoi Velajt urdhrin e arrestimit të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.

Sipas autoriteteve, 41-vjeçari ishte dënuar nga Gjykata Penale e Lushnjës me dy vite burg për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe eksplozivëve, e kryer në dhjetor të vitit 2015 brenda një lokali. Urdhri i arrestimit ishte lëshuar më 10 mars 2022.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku ai fshihej, policia gjeti një pistoletë të kalibrit 7.65 me numër serial të fshirë, një karikator me katër fishekë, si dhe dokumente identifikimi të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kishte përdorur për t’iu shmangur arrestimit.


Shtuar 21.01.2026 17:09