Situata e krijuar nga reshjet e ditëve të fundit, vijon të sjellë probleme në qarkun e Fierit, ku një pjesë e tokave bujqësore mbeten ende të përmbytura.
Ndërkohë, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë të zonës ndryshon nga orë në orë, duke mbajtur banorët dhe autoritetet në gatishmëri.
Gjatë natës ka pasur reshje me intensitet të ulët, por terreni vijon të jetë i ngopur me ujë. Në zonat e prekura nga dalja e lumit Vjosë, uji është duke u tërhequr gradualisht, megjithatë disa parcela mbeten nën sipërfaqe të konsiderueshme.
Në kontrast me Vjosën, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në rritje dhe, sipas të dhënave të para, kanë shkaktuar dalje të ujit nga shtrati në disa segmente, edhe pse për momentin mbeten brenda argjinaturave mbrojtëse.
