Çfarë ka ndodhur mes tyre? Fifi flet për Flor Mumajesin: Do iki t’ia thyej derën…

Këngëtarja e njohur, Filloreta Raçi, e njohur me emrin artistik si Fifi, teksa ishte e ftuar në podcastin “The Dalina Show”, foli edhe për raportin që ajo ka me Flor Mumajesin.

Para disa kohësh, Fifi deklaroi se ka një vit që i shkruan këngëtarit dhe nuk merr përgjigje.

E pyetur nga Dalina Buzi se si është kjo marrëdhënie mes tyre artistja u përgjigj:

“Vazhdojmë njësoj, unë i shkruaj, ai s’kthen. Çfarë të bëjmë”.

Më tej, Fifi shtoi me shaka: “Ndoshta duhet t’i shkoj te dera t’ia thyej”.

E pyetur se përse ka kaq shumë nevojë të ketë kontakt me Florin, ndonëse nuk i kthen përgjigje prej kohësh, Fifi u përgjigj:

“Po, është daja i Theo Malit [djalit të Fifit], është shoku im i shpirtit dhe s’mund ta imagjinoj mos të flas me… Domethënë, djalin tim e ka parë vetëm kur ka qenë djali dy muajsh”.

Duke rikujtuar se si lindi shoqëria mes tyre, Fifi tha:

“Prej muzikës [lindi shoqëria]. Kemi punuar bashkë në periudhën 2020-2021. Energjinë e kemi të njëjtë shumë. Patjetër që e kam të nevojshme [të flas me Florin]. Besoj që edhe ai e ka të nevojshme të flasë me mua”.

Në fund, Fifi tha se, “kushedi se ku i ka ngelur hatri” që refuzon të flasë me të, duke përsëritur edhe një herë shakanë se e vetmja zgjidhje që i ka mbetur tani, është të shkojë t’i thyejë derën për të komunikuar me të.

Duke rikujtuar dhe një episod nga 2019-a ku dyshja papritur hoqën njëri-tjetrin nga Instagrami, pasi u përfolën edhe për një lidhje romantike madje, Fifi shpjegoi se kishte qenë një moment gjaknxehtësie:

“Ai ka qenë moment euforik, isha 25 vjeç, isha e vogël”.


Shtuar 18.12.2025 09:14