AKR dhe PD zyrtarisht në listën e LDK-së

Partia e Drejtësisë (PD) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) do të bashkëpunojnë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvend, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se PD do të ketë dy kandidatë në listën e LDK-së, ndërsa AKR tre kandidatë.

Ai e ka cilësuar këtë bashkim si një “bashkim të natyrshëm mes forcave që besojnë në shtet, në ligj, në zhvillim dhe në orientimin euroatlantik të Kosovës”.
“Në këto zgjedhje, LDK ndërton një front të përgjegjësisë. Një aleancë për qeverisje të mirë, për rikthimin e institucioneve, për zbardhjen e transparencës, për ekonominë, për meritat, për qytetarin dhe për Kosovën tonë të përbashkët,” ka thënë Abdixhiku.

Ai ka shtuar se bashkimi me PD-në dhe AKR-në reflekton vlerat e orientimit pro-perëndimor dhe synimin për një qeveri stabile dhe me vizion, si dhe për përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke forcuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Ky bashkim është pjesë e përpjekjes më të madhe të LDK-së: të ndërtojmë një shumicë të re politike që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin, e kthen shpresën dhe e udhëheq Kosovën me maturi e dinjitet. Jemi duke u bashkuar. Jemi duke u forcuar. Jemi duke e ndërtuar fitoren. Kosova ka nevojë për përgjegjësi. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për LDK-në,” ka përfunduar Abdixhiku


Shtuar 3.12.2025 19:44

Tags: ,