E rëndë/ E mori rrjedha e përroit, humb jetën 40-vjeçari në Elbasan (EMRI)

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë ka tndodhur në fshatin Mlizë në Njësinë Administrative Gjinar, Elbasan, ku rreth 40-vjeçari Florian Tahiri ka humbur jetën tragjikisht, pasi u rrëmbye nga rrjedha e përroit që kalon pranë fshatit.

Tahiri dyshohet se po kalonte urën në momentin kur u mor nga prurjet e shtuar të ujit. Pasi ai nuk u kthye në shtëpi në drekë, familjarët dhanë alarmin dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit.

Pamjet e kamerave të disa bizneseve pranë zonës, kanë fiksuar momentet kur 40-vjeçari është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme e ujit, duke ndihmuar grupet e kërkimit në përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së trupit.

Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës nga ekipet e zjarrfikësve dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit.

Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur mëngjesin e sotëm, rreth 1 kilometër larg urës ku dyshohet se ndodhi aksidenti.

Dyshohet se Florian Tahiri, ka qenë duke kaluar mbi urë në momentin e fatkeqësisë, ndërsa prurjet e mëdha të ujit, të shkaktuara nga reshjet e ditëve të fundit, e kanë rrëmbyer në mënyrë të menjëhershme.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa komuniteti i zonës është tronditur nga humbja e rëndë.


Shtuar 27.11.2025 08:26