Në kuadër të një hetimi mbi procedurat e prokurimit për projektin e “Unazës së Jashtme Tiranë”, janë bërë publike komunikime të shumta telefonike mes zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës, tashmë të pezulluar nga detyra, Belinda Balluku, dhe ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, të datës 1 dhe 5 tetor 2021.
Sipas hetimit, më 1 tetor 2021, dy zyrtarët kanë shkëmbyer mesazhe të vazhdueshme lidhur me “Unazën e Madhe” të Tiranës, ku Balluku i kërkon Berberit “të jetë gati për njoftimin”, ndërsa biseda vijon mbi publikimin dhe koordinimin e veprimeve për procedurën në fjalë.
Në një moment, Balluku i shkruan: “Asnjë ndryshim… Thjesht të bëj këngën, por jam në Kukës”. Më vonë, gjatë të njëjtës ditë, komunikimi vijon për afatet e veprimeve dhe shtyrjen e njoftimeve deri të mërkurën.
Ndërsa më 5 tetor 2021, Berberi e njofton Ballukun se një emisioni investigativ ka kërkuar informacion zyrtar për procedurën e prokurimit të Lotit 1 “Shqiponja”, duke pyetur për shpalljen e fituesit dhe ankesa të mundshme.
Balluku i përgjigjet: “ Të plasi trapi, bëj punën dhe zbato ligjin… Nesër publikoji të gjitha në darkë”.
Sipas hetimit, të nesërmen, më 6 tetor 2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.
Pjese nga dosja
Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Behu gati per unazat te henen ne mengjes”.
Në orën 10:48, Evis Berberi: “Njoftimin? Apo inspektim”.
Në orën 10:48, Belinda Balluku: “Njoftimin more”.
Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: “Jo sot ne darke? Ska ndryshim?”.
Në orën 10:49, Belinda Balluku: “A do ti nxjerresh ne darke sot? Shume mire Por do te te them”.
Në orën 10:50, Evis Berberi: “Ok po pres po më duhen 3 ore kohe nese ka ndryshime”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Asnje ndryshim”.
Në orën 10:52, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte te bej kengen Por jam ne kukes”.
Në orën 16:12. Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkes”.
Në orën 21:18, Evis Berberi: “Te vazhdojme apo te presim per neser”.
Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: “Jo, te mërkurën Ikni shijoni fundjavën Merruni me pune serioze Ke nje plehre aty qe flet”.
Në orën 21:33. Evis Berberi: “Cfare ka dale Ok te merkuren”.
Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin “Ka ardhur Stop dhe kerkon informacion per proceduren e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thame bej kerkese me shkrim te marresh pergjigje e beri, kerkojne te dine nese eshte shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nese nuk eshte shpallur pse jo? Ben dhe nje kronike jashte dhe iken”.
Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: “Te plasi trapi Bej punen dhe zbato ligjin Kur te te vi ty afati i pergjigjes, do kesh mbaruar me procedurat Neser publikoji te gjitha ne darke”. Në orën 12:51. Evis Berberi: “Ok”.
Në lidhje me komunikimin e mësipërm, nga hetimi rezulton se, të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë. Loti 4”.

