Në vijim të hetimeve për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme pranë rrethrrotullimit të aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy efektivë të Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit zyrtar, janë ndaluar Nënkomisar Bruno Cara, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor Ashim Zajmi, me detyrë Ndihmës/Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Të dy këta punonjës policie dyshohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Hetimet e deritanishme tregojnë se ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përpiluar në mënyrë të parregullt “Vërtetimin e Besueshmërisë” për Muçi Shaljani, duke mos pasqyruar të dhëna që përbënin shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.
Kjo ka bërë të mundur punësimin e Muçi Shaljani pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Muçi Shaljani ishte shoqëruesi i Gilmando Danit gjatë atentatit të djeshëm dhe u plagos me disa plumba, dy prej tyre në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në koma.
Nga verifikimet e kryera, AMP ka konstatuar shkelje të procedurave ligjore në procesin e rekrutimit Shaljanit.
