La detyrën si kryetar i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dekretohet nga Presidenti Begaj si Ambasador i Zvicrës dhe Principatës së Lihtenshteinit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot emërimin e Ermal Dredhës në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Bernë, si dhe Ambasador jo rezident në Principatën e Lihtenshteinit.

“Presidenti Begaj dekretoi sot emërimin e zotit Ermal Dredha në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, rezident, dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Lihtenshteinit, jo rezident”, njofton presidenca.

Ky dekret vjen pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga posti i Kryetarit të Bashkisë Vlorë, detyrë të cilën e mbajti pas zgjedhjeve vendore të majit 2023, deri në shtator 2025.

Kujtojmë se nga viti 2016 deri në vitin 2023 Ermal Dredha ka shërbyer edhe si ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.


Shtuar 10.11.2025 16:50