Raporti më i ashpër i Komisionit Evropian për Serbinë – institucionet kontrollohen nga Vuçiq, zgjedhjet e parregullta dhe mediat e kapura

Komisioni Evropian ka publikuar raportin e zgjerimit për të gjitha vendet kandidate, ku për Serbinë është më i pafavorshmi që nga fillimi i negociatave për anëtarësim.

Kritikat më të mëdha lidhen me përkeqësimin në fushat e demokracisë, të drejtave themelore dhe lirisë së mediave.

U theksua se në Serbi ekzistojnë sfida në funksionimin e institucioneve demokratike për shkak të polarizimit politik në rritje, si në nivel kombëtar, ashtu edhe lokal.

Nje shembull tragjik është rrëzimi i strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, i cili nxiti protestat masive studentore dhe qytetare dhe bllokada në të gjithë vendin, që vazhdojnë, raporton N1.

Shumica e protestave u lejuan nga autoritetet, dhe policia siguroi sigurinë gjatë tubimeve. Megjithatë, u regjistruan incidente dhe sulme ndaj studentëve dhe demonstruesve paqësorë, përfshirë sulme që rezultuan me lëndime të rënda, aksidente trafiku (“godit dhe ik”) dhe sulme të tjera fizike.

Gjatë verës, incidentet u intensifikuan, përfshirë aktet vandalizmi dhe sulme ndaj pronave të individëve dhe bizneseve që konsideroheshin mbështetës të protestave.

Në fushën e medias dhe shoqërisë civile, situata është vlerësuar si përkeqësim:

Janë regjistruar sulme, paditë SLAPP, intimidime dhe arrestime të gazetarëve.

Organe rregulluese dhe shërbime publike nuk janë të pavarura, dhe skena mediatike është nën “ndikim politik dhe përqendrim të pronësisë”.

Komisioni kërkon që Serbia të sigurojë “pluralizmin, pavarësinë dhe cilësinë e raportimit”.

Përpjekjet për ndikim politik në drejtësi minojnë demokracinë.

Korrupsioni mbetet në nivel të lartë, dhe lidhja mes krimit të organizuar dhe politikës si dhe mungesa e rezultateve në ndjekjen penale janë ende probleme kyçe.

Është nevojshme parandalimi i “kapjes së shtetit” (state capture) dhe sigurimi i një mbikëqyrjeje efikase mbi konfliktin e interesave dhe pasuritë e funksionarëve.

Sa i përket dialogut me Kosovën, Serbia dhe Kosova pritet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit për zbatimin e saj, si dhe të gjithë marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

Nga Serbia pritet të fillojë zbatimin e obligimeve të veta duke pranuar dokumentet, simbolet dhe institucionet e Kosovës, ndërsa nga Kosova pritet të nisë procesin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në përfundim thuhet “Serbia duhet të kalojë nga përkushtimi deklarativ në atë real ndaj vlerave evropiane. Përparimi në negociata varet nga reformat në fushat e sundimit të së drejtës, lirisë së mediave dhe harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së. Pa këto, procesi mbetet i bllokuar”, thuhet në përfundim.


Shtuar 4.11.2025 17:24